Shqipëria po zhvillon negociata me aleatët e NATO-s për sigurimin e një sistemi antiraketor me rreze të mesme, ndërsa vijon projektet e modernizimit të Forcave të Armatosura në të tria domenet: tokësor, ajror dhe detar.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, në një intervistë për Euronews Albania, deklaroi se vendi po kalon procesin më të madh të modernizimit ushtarak në 35 vitet e fundit, në kuadër të strategjisë së qeverisë dhe angazhimeve në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Ajo bëri të ditur se, Forcat e Armatosura do të pajisen me sisteme HIMARS, artileri të lëvizshme që mundësojnë goditjen e objektivave në distanca të largëta dhe me precizitet të lartë. Sipas saj, këto sisteme kanë dëshmuar rëndësinë e tyre edhe në luftën në Ukrainë, veçanërisht për goditjen e depove dhe infrastrukturës ushtarake.
Abrazhda tha se Shqipëria është në negociata me aleatët e NATO-s për një sistem antiraketor me rreze të mesme, i cili do të shërbejë për mbrojtjen e territorit dhe të infrastrukturës kritike. Sistemi synon të rrisë kapacitetet për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga raketat dhe dronët.
Një tjetër projekt i rëndësishëm lidhet me forcimin e kapaciteteve detare, përmes ndërtimit në Pashaliman të dy anijeve luftarake shumërolëshe. Sipas zëvendësministres, prodhimi i tyre në Shqipëri do të kontribuojë si në modernizimin e Flotës Detare, ashtu edhe në zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes.
Abrazhda veçoi gjithashtu integrimin e sistemit të komunikimit Link 16, i cili do të mundësojë shkëmbimin e të dhënave në kohë reale me aleatët dhe koordinimin e reagimit ndaj kërcënimeve.
Ajo theksoi se ndërveprimi është një element kyç i funksionimit operacional të NATO-s, veçanërisht në kushtet e luftës moderne, ku forcat tokësore, ajrore dhe detare veprojnë të ndërlidhura.
“Lufta e shekullit XXI është luftë shumëdimensionale. Përmes një ekrani dhe përmes lidhjes së çdo pajisjeje të çdo shteti anëtar të NATO-s, ne koordinohemi dhe i adresojmë së bashku rreziqet ndaj Aleancës”, u shpreh ajo.
Sipas zëvendësministres, synimi është që kjo fazë e modernizimit të Forcave të Armatosura të përmbyllet brenda dy deri në tre vjetësh.
Gjatë intervistës, Abrazhda foli edhe për detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s dhe organizimin e samitit të Aleancës në Tiranë. Ajo theksoi se zhvillimi i samitit në kryeqytetin shqiptar është konfirmuar në deklaratën e samitit të Hagës, në vitin 2025, dhe është rikonfirmuar në samitin e Ankarasë.











