Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mirëpritur hartimin e Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030, duke theksuar rëndësinë e angazhimit institucional në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe luftimin e dhunës në familje.
Gjatë fjalës së saj, Gërvalla ka shprehur mirënjohje për kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për angazhimin në avancimin e të drejtave të grave dhe ndryshimet ligjore e institucionale në këtë fushë.
Ajo ka theksuar se situata aktuale kërkon angazhim edhe më të madh nga institucionet, duke bërë të ditur se gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 2,361 raste të dhunës në familje.
Në mesin e viktimave kanë qenë 172 fëmijë, ndërsa tetë gra dhe vajza janë vrarë.
“Një grua që kërkon mbrojtje nga dhuna nuk duhet të shqetësohet se cili institucion është përgjegjës. Ajo duhet të marrë ndihmë dhe të ketë besim se shteti do ta mbrojë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ministrja ka vënë në pah se Agjenda Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore duhet të përfshijë edhe çështje që lidhen me pavarësinë ekonomike të grave, të drejtën në pronë, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe krijimin e mundësive të barabarta.
Në cilësinë e ministres së Drejtësisë dhe Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Gërvalla ka rikonfirmuar përkushtimin për forcimin e mekanizmave mbrojtës dhe rritjen e përgjegjësisë institucionale.
Në fund, ajo ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje në zbatimin e Agjendës Parlamentare 2027–2030 dhe realizimin e objektivave të saj./teve1.info/







