Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, pas një incidenti që ka ndodhur në orët e para të së martës në një lokal në rrugën “Boris Kidriç”, në Mitrovicën e Veriut.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitë policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë kuptuar se dy zyrtarë policorë, të cilët në atë kohë ishin jashtë detyrës zyrtare, fillimisht janë ofenduar nga disa persona lidhur me punën e tyre, ndërsa më pas janë sulmuar fizikisht jashtë lokalit.
Si pasojë e sulmit, njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të rënda trupore, sipas vlerësimit të mjekut kujdestar.
Policia ka arrestuar fillimisht dy persona të dyshuar, me inicialet S. L. i lindur më 2001 dhe U. L. i lindur më 2005.
Ndërkaq, pas vazhdimit të hetimeve, hetuesit rajonalë kanë identifikuar edhe dy persona të tjerë, N. M. i lindur më 2004 dhe L. M. i lindur më 2005, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rast.
Gjatë veprimeve policore janë sekuestruar edhe armë me leje, të cilat dyshohet se u përkisnin dy prej të dyshuarve.
Të katër personat janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me aktvendim të prokurorit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ata do të hetohen për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe procedimin e personave të përfshirë./teve1.info/








