Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Kreshnik Hajrizi, ka reaguar pas ndeshjes ndaj Irlandës, ku preku topin me dorë në vijën e portës dhe u përjashtua me karton të kuq.
Ngjarja ndodhi në minutën e 26-të, kur Irlanda ishte pranë golit pas një goditjeje me kokë të Parrottit.
Hajrizi ndërhyri me dorë për ta ndalur topin që po shkonte drejt rrjetës, duke i shkaktuar Irlandës penallti dhe duke lënë Kosovën me një lojtar më pak.
Parrott shënoi nga pika e bardhë për 1-0, ndërsa Irlanda në fund triumfoi me rezultat 3-0, me sulmuesin irlandez që realizoi edhe një penallti tjetër në pjesën e dytë.
Një ditë pas kësaj ndeshjeje, Hajrizi ka kërkuar falje për veprimin e tij përmes një postimi në Instagram.
“Sot ndiej një zhgënjim të madh dhe një dëshpërim të thellë. Kam bërë një gabim që pati pasoja të rënda dhe që lëndoi një vend të tërë, një komb të tërë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj dhe dua të kërkoj falje me gjithë zemër”, ka shkruar Hajrizi.
Ai u ka kërkuar falje edhe tifozëve që ishin të pranishëm në Dublin, të gjithë atyre që e mbështesin Kosovën, si dhe bashkëlojtarëve të tij.
“Dua të kërkoj falje edhe ndaj bashkëlojtarëve të mi. Faleminderit të gjithëve që vazhdojnë të na mbështesin, edhe në momentet më të vështira. Forca Kosovë! Dashuri dhe respekt i pafund për këtë fanellë dhe për gjithë kombin tonë”, ka përfunduar mbrojtësi.
Hajrizi mbetet një futbollist i rëndësishëm për Përfaqësuesen e Kosovës dhe një nga opsionet në repartin defensiv të Dardanëve.
Mbrojtësi pritet të rikthehet edhe më i motivuar për ta përfaqësuar Kosovën dhe për të dhënë kontributin e tij në ndeshjet e ardhshme.




