Politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviç, ka deklaruar se Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA) duhet të bëjë të ditur se ku ndodhet Milan Radoiçiq, ndaj të cilit Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhërarrest dy ditë më parë.
Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Beta, Trajkoviç tha se Radoiçiq përbënte një “barrë” për pushtetin e Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe Aleksandar Vuçiqin, duke theksuar se ai me siguri ka qenë nën mbikëqyrjen e BIA-s.
“Milan Radoiçiq është një person që përbën një barrë të madhe dhe që, në thelb, rëndon mbi të gjitha institucionet shtetërore. Ai lidhet me sulmin e armatosur në Banjskë dhe vrasjen e Oliver Ivanoviçit, ndonëse organet shtetërore e kanë liruar nga çdo përgjegjësi mbi bazën e testit të poligrafit.
Buxheti i Qeverisë së Serbisë ka qenë plotësisht në dispozicion të Radoiçiqit. Ai dhe Zvonko Veselinoviç janë bërë ndër qytetarët më të pasur të Serbisë”, deklaroi Trajkoviç.
Sipas saj, nëse Radoiçiq do të arrestohej, ai mund të komprometonte shumë institucione dhe zyrtarë të rëndësishëm të pushtetit në largim.
Ajo shtoi se do të dëshironte që ai të ishte gjallë dhe të fliste për të gjitha keqbërjet në të cilat, sipas saj, kishte marrë pjesë së bashku me Veselinoviçin.
“Para zhdukjes së Radoiçiqit, Zvonko Veselinović u largua nga Serbia së bashku me vëllain e tij. Për Radoiçiqin nuk dihet asgjë e sigurt. Është folur se ishte barrikaduar në Kopaonik. Në këtë moment, vendndodhja dhe fati i tij mbeten një mister i madh.
Këtë duhet ta dinë dhe ta bëjnë publike shërbimet tona të sigurisë, në krye me BIA-n, sepse me shumë gjasë ai ka qenë nën mbikëqyrjen e tyre”, vlerësoi Trajkoviq.
Ajo deklaroi gjithashtu se mbrojtësi i Radoiçiqit ishte Bojan Dimiç, drejtues i Drejtorisë për Luftimin e Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar në BIA.
“Mbrojtësi i Radoiçiqit ishte Bojan Dimiç, i cili erdhi në pozitën e shefit të Drejtorisë së Parë të BIA-s përmes Radoiçiqit dhe Veselinoviçit.
BIA duhet të japë një përgjigje zyrtare nëse ka mbikëqyrur lëvizjet e Radoičićit apo nëse ka ndodhur e kundërta – që Radoiçiq të ketë mbikëqyrur BIA-n”, tha Trajkoviq.
Ndërkohë, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë, Milan Zvezdanoviç, deklaroi më 13 nëntor se kishte informacione jozyrtare se Radoiçićq ishte larguar nga Serbia.
Duke folur në televizionin N1, Zvezdanoviç tha se, sipas informacioneve që kishte nga BIA, Radoiçiq ishte larguar drejt Rusisë.
I pyetur nëse ishte larguar nga territori i Serbisë me leje apo në mënyrë ilegale, ai u përgjigj se “në pushtet është ende Partia Progresive Serbe (SNS)”.
“Atij nuk i duhej leje”, theksoi Zvezdanoviç.
Sipas tij, largimi i Radoiçiqit nga vendi kishte shqetësuar madje edhe një pjesë të udhëheqjes së lartë të BIA-s, e cila, siç pretendoi ai, kishte pasur skema biznesi dhe kriminale me të.







