Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në një objekt afarist në rrugën “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë, ku si pasojë një person ka mbetur i lënduar.
Rastin për Tëvë1 e ka konfirmuar Vlera Krasniqi, zëdhënëse e Policisë Rajonale në Gjakovë, e cila bëri të ditur se policia është njoftuar për rastin rreth orës 17:00, përmes linjës zyrtare telefonike.
Sipas Krasniqit, gjatë grabitjes janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, ndërsa personi i lënduar ka marrë trajtim mjekësor.
“Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit, si dhe identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”, ka deklaruar Krasniqi.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë në grabitje.







