Avokati Valdet Hoxha, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka komentuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i cili pas kthimit nga presidentja pritet të rikthehet për shqyrtim në Kuvend.
Hoxha ka thënë se LVV-ja, edhe para votimit të parë, kishte shprehur skepticizëm për efektin dhe qëllimin e këtij ligji, ndërsa sipas tij, i njëjti qëndrim po vazhdon edhe pas kthimit të tij nga presidentja.
Sipas avokatit, ligji përmban dy çështje problematike që kërkojnë trajtim: mundësinë e vuajtjes së dënimit në Kosovë dhe atë që ai e cilëson si zbehje të juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese në raport me Dhomat e Specializuara.
“LVV-ja, qysh para votimit, vazhdimisht ka qenë konsistente se ky ligj nuk mund ta arrijë qëllimin e dëshiruar. Edhe përkundër faktit se nuk na janë paraqitur argumente konkrete se në cilat pika ka mangësi, është votuar me një lloj skepticizmi, më shumë për ta zgjedhur presidenten sesa për të pasur efektin e ligjit. Edhe tash, pas kthimit nga presidentja, po përsëritet i njëjti qëndrim se ky ligj nuk e ka efektin e dëshiruar”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka theksuar se, sipas vlerësimit të tij, dy çështjet kryesore që e bëjnë ligjin problematik janë parashikimi për vuajtjen e dënimit në Kosovë dhe dispozitat që, sipas tij, prekin juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në raport me Dhomat e Specializuara.
“Unë besoj se ka probleme serioze. Janë dy pika kryesore: vuajtja e dënimit në Kosovë, që është e papranueshme, dhe zbehja e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese brenda Dhomave të Specializuara. Për këto dy pika nuk pajtohet as Bashkimi Evropian. Këto janë dy çështjet kryesore që e shtyjnë debatin”, ka thënë ai.
Hoxha ka sqaruar se ekziston mundësia që, pas kthimit të ligjit nga presidentja, të bëhen ndryshime në dispozita të caktuara, pa e ndryshuar domosdoshmërisht tërësinë e tij. Sipas tij, ndryshimi i këtyre dy neneve mund të jetë pjesë e përpjekjeve për harmonizimin e ligjit me standardet e Bashkimit Evropian.
Ai ka vlerësuar se procesi i harmonizimit do të jetë i vështirë, duke marrë parasysh edhe qëndrimet e partive politike dhe interesat e tyre lidhur me mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.







