Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet dhe rekomandimet e raportit të inspektimit të jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin institucional të rastit të së ndjerës Arlinda Zekaj.
Sipas raportit, gjatë trajtimit të këtij rasti janë evidentuar disa shkelje dhe mangësi në punën e zyrtarëve të QPS-së, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, neglizhencën në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale.
Një nga gjetjet kryesore të inspektimit është dorëzimi me vonesë i raportit në Gjykatë. Ndonëse me aktvendimin e 24 shtatorit 2026 ishte përcaktuar afati prej shtatë ditësh, raporti është dorëzuar vetëm më 5 tetor 2026.
Po ashtu, është konstatuar mungesa e pajustifikuar e menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të së njëjtës datë, si dhe mosrealizimi i monitorimit të kërkuar pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të 7 shtatorit 2026.
Inspektimi ka evidentuar edhe moszbatimin e procedurave standarde të menaxhimit të rastit, përfshirë mosplotësimin e formularëve për kontaktet dhe punën në rast, si dhe mungesën e Planit Individual të Shërbimeve.
Një tjetër mangësi e evidentuar është mungesa e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale ndaj punës së menaxheres së rastit.
Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K.
Raporti kërkon gjithashtu rritjen urgjente të numrit të punonjësve profesionalë të licencuar në QPS-në e Pejës, duke vlerësuar se kapacitetet aktuale të stafit nuk përputhen me vëllimin e përgjegjësive dhe territorin që mbulon ky institucion.
Një tjetër rekomandim drejtuar Komunës së Pejës është zhvendosja e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, me qëllim të garantimit të pavarësisë profesionale të Qendrës për Punë Sociale dhe ndarjes së qartë të përgjegjësive ndërmjet dy institucioneve.
Sa i përket veprimeve të ardhshme, QPS-së i është rekomanduar të sigurojë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe vizita të rregullta për fëmijën e vendosur në strehimore, duke vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore dhe psikosociale, si dhe duke dokumentuar shërbimet e ofruara.
Po ashtu, kërkohet koordinim më i mirë me institucionet përkatëse, përdorim i plotë i formularëve standardë dhe organizim i trajnimeve për stafin, veçanërisht në zbatimin e procedurave për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Në fund, Ministria ka kërkuar nga Komuna e Pejës që rekomandimet të trajtohen pa vonesë dhe që institucionit t’i dërgohet njoftim zyrtar për veprimet e ndërmarra.
Ministria ka bërë të ditur se do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunës së Pejës.







