Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë ka reaguar lidhur me vdekjen e një pacienteje, e cila ndërroi jetë të premten në Spitalin Rajonal të Pejës, pasi gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar pas trajtimit në këtë institucion.
Përmes një njoftimi në Facebook, QKMF-ja ka dhënë sqarime lidhur me rrjedhën e trajtimit mjekësor dhe rrethanat që i paraprinë vdekjes së pacientes.
Sipas njoftimit, pacientja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion.
Megjithatë, menjëherë pas fillimit të infuzionit, ajo kishte shfaqur reaksion alergjik dhe ishte dërguar në urgjencën e QKMF-së, ku mjekët kishin ndërmarrë trajtimin e nevojshëm.
Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja ishte transferuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Pejës, e shoqëruar nga një mjek dhe një infermier.
QKMF-ja ka bërë të ditur se gjatë transportit drejt Pejës, në pjesën më të madhe të rrugës ishte kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa pas arritjes në spital pacientja ishte intubuar.
Pavarësisht masave intensive dhe trajtimit të ndërmarrë, ajo kishte ndërruar jetë.
Në njoftim thuhet se rasti është aktualisht nën hetim nga institucionet kompetente dhe se QKMF-ja do të bashkëpunojë me organet përkatëse, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar.
“QKMF do të bashkëpunojë me organet përkatëse dhe do t’u ofrojë të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar. Duke respektuar ndjeshmërinë e rastit, dinjitetin e pacientes dhe privatësinë e familjes, QKMF nuk do të bëjë komente të mëtejshme gjatë zhvillimit të hetimit dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim relevant”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/










