Gjatë negociatave që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë, Rusia raportohet se ka kërkuar që Finlanda të tërhiqet nga NATO-ja dhe që Aleanca t’i heqë bazat e saj ushtarake nga Estonia, Letonia dhe Lituania.
Sipas gazetës gjermane Bild, Moska ka paraqitur një sërë kërkesash që shkojnë përtej Ukrainës dhe që do të ndryshonin ndjeshëm arkitekturën e sigurisë në Evropë.
Këto propozime ruse thuhet se u janë paraqitur përfaqësuesve evropianë gjatë bisedimeve në Abu Dabi.
Megjithatë, Kremlini më pas e ka mohuar se ka kërkuar tërheqjen e Finlandës nga NATO-ja.
Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse presidenti rus Vladimir Putin i mbështet të gjitha propozimet e përmendura nga Bild.
Propozimi rus thuhet se përfshin gjithashtu heqjen e të gjitha bazave ushtarake të NATO-s nga Estonia, Letonia dhe Lituania.
Një lëvizje e tillë do të ndryshonte në mënyrë thelbësore praninë ushtarake të Aleancës në krahun e saj verilindor.
Sipas propozimeve jozyrtare të raportuara nga Bild, Rusia do të mbante të gjithë territorin ukrainas që aktualisht e ka pushtuar, ndërsa Ukraina do të duhej t’i dorëzonte asaj pjesët e mbetura të rajoneve të Donetsk dhe Luhansk.
Kjo do t’i jepte Moskës kontrollin mbi të gjithë Donbasin, përfshirë zonat që ushtria ruse nuk arriti t’i pushtonte.
Ukraina do të duhej të hiqte dorë përgjithmonë nga anëtarësimi në NATO dhe të qëndronte jashtë aleancave ushtarake.
Megjithatë, propozimi nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Rusia raportohet se kërkon që portet ukrainase në Detin e Zi, Odesa dhe Mykolaivi, të çmilitarizohen.
Kjo do të thotë se ato nuk duhet të përdoren më si baza detare ushtarake.
Njëkohësisht, marrëveshje të veçanta duhet të garantojnë lundrim të lirë në Detin e Zi dhe në Detin Baltik.
Kërkesa të tilla do të shkonin shumë përtej ndërprerjes së armiqësive, pasi do të kufizonin aftësinë e Ukrainës për të organizuar mbrojtjen e saj.
Sipas portalit bjellorus “Nashaa Niva”, propozimet jozyrtare ruse përfshijnë gjithashtu ndryshime në strukturën shtetërore të Moldavisë.
Raportohet se Moska dëshiron ta shndërrojë Moldavinë në një federatë të përbërë nga pjesa qendrore e vendit, Gagauzia autonome dhe Transnistria – një rajon separatist i mbështetur nga Rusia.
Nëse Moldavia do t’i bashkohej Bashkimit Evropian, sipas këtij propozimi, Gagauzisë dhe Transnistrisë do t’u jepet e drejta për të organizuar referendume për pavarësi.
Në këmbim të këtyre lëshimeve, sipas mediave, Moska do të pranonte të tërhiqte armët e saj bërthamore nga Bjellorusia.
Rusia gjithashtu do të zotohej se nuk do të vendoste atje raketa me rreze të mesme veprimi, përfshirë sistemet “Iskander” dhe “Oresnik”.
Sipas “Nasha Niva”, propozimi rus përfshin gjithashtu tërheqjen e ushtarëve rusë nga Transnistria.











