Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për tifozët që do të jenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
“Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, FFK-ja ka bërë të ditur se në stadium ndalohet futja dhe përdorimi i armëve të çdo lloji, mjeteve të mprehta, mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, mjeteve eksplozive, pijeve alkoolike, laserëve dhe dronëve. Po ashtu, ndalohet futja e pajisjeve të zërimit pa autorizim, banderolave me përmbajtje politike, raciste apo diskriminuese, çadrave, si dhe çdo sendi tjetër që mund të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve”, shkruhet në njoftim.
FFK-ja ka rikujtuar se të gjithë tifozët duhet të kenë me vete një dokument të vlefshëm identifikimi, i cili do të kërkohet gjatë hyrjes në stadium.
Federata u ka bërë thirrje tifozëve që të arrijnë sa më herët në stadium, pasi secili prej tyre do t’i nënshtrohet kontrollit të detyrueshëm të sigurisë në hyrje.
Në njoftim është përfshirë edhe çështja e parkimit, ku bëhet e ditur se “Prishtina Parking” nuk do të jetë në funksion gjatë ditës së ndeshjes. Për këtë arsye, tifozët janë inkurajuar që paraprakisht të planifikojnë parkimin e automjeteve në zona më të largëta nga stadiumi, për të shmangur trafikun dhe vonesat.
Në fund, FFK-ja ka ftuar tifozët që me disiplinë, respekt dhe përkrahje të zjarrtë të jenë pranë Kombëtares së Kosovës në këtë përballje.





