Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj zyrtarit të Arkivit Ndërkomunal, i cili dyshohet për keqpërdorim detyre.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit M.B. si të pabazuar dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 1 muaji, tha gjykata në njoftim.
“Gjykata ka obliguar Stacionin Policor në Lipjan që ta zbatojë masën e arrestit shtëpiak për të pandehurin M.B., dhe në çdo kohë të verifikojë zbatimin e kësaj mase dhe pa vonesë të njoftojë Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda për shkeljen eventuale të kësaj mase nga ana e të pandehurit”, shkruhet në njoftim.
Gjykata erdhi në përfundim se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit M.B., pasi kjo masë është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe rrjedhën e papenguar të procedurës penale, në këtë çështje penale.
Nëse i pandehuri nuk e respekton këtë aktvendim, Gjykata paralajmëroi se masën e arrestit shtëpiak do ta zëvendësojë me masën e paraburgimit.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Për këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, doli me një sqarim ku tha se i dyshuari është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në varësi të Ministrisë së Kulturës.








