Konsiderohej si koka e krimit në veriun e Kosovës.
Madje, Zvonko Veselinoviq ishte në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Deri më tash, ai strehohej nga ish-pushteti i Aleksandar Vuçiqit, në Serbi.
Por, tash me ndryshimin e pushtetit, kur kanë nisur një valë arrestimesh, ai dyshohet se ka ikur nga shteti serb.
Sipas raportimeve në Serbi, ai ka fluturuar nga Sarajeva për në Turqi, me një pasaportë serbe.
Për konfirmimin e këtij lajmi, Tëvë1 dërgoi pyetje edhe në Ambasadën turke në Kosovë por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Megjithatë, sipas njohësve të ligjit Turqia duhet ta ekstradojnë Veselinoviqin në Kosovë, pasi të dy vendet kanë marrëveshje për ekstradimin e personave të kërkuar.
“Turqia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe sipas përvojës që kam të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë marrëveshje të nënshkruara lidhur me ekstradimin e personave siç ka ndodhë kohëve të fundit, është shumë aktuale, shumë aktive e problemi më i madh është kur kryerësit e veprave penale, qoftë serbë por edhe shqiptarë, siç ka ndodhë shumë shpesh ata ikin në Serbi”, shprehet avokatja, Fehmije Gashi-Bytyqi.
Ish-policja thotë se mungesa e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, nuk pengon në ekstradimin e tij në Kosovë.
“Ministria e Drejtësisë në rrugë ligjore kërkon prej UNMIK-ut, ashtu që shpeshherë edhe INTERPOL-i kryen punë, përkundër faktit që nuk jemi pjesë e këtij institucioni aq të rëndësishëm ndërkombëtar, megjithatë besoj që është e gatshme Turqia vetëm është problemi pak që territori i Turqisë është shumë i madh edhe mundet ai mandej kur e kupton që po kërkohet edhe atje, mund të ikë në pjesë tjera”, thotë ajo.
Edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thekson se bazuar në raportet mes dy vendeve, Turqia mund të bëjë ekstradim të tij në Kosovë.
“Turqia është një rast tjetër, ne kemi marrëdhënie dhe raportet policore por edhe drejtësisë dhe mendoj që do të zbatojë një urdhër arrest për rastin konkret nëse ka të bëjë me Radoiçiqin apo grupin terrorist”, thotë ai.
Tëvë1 ka pyetur edhe Ministrinë e Drejtësisë nëse është bërë ndonjë kërkesë zyrtare tek autoritetet turke për Veselinoviqin, por as nga kjo ministri nuk kanë kthyer përgjigje.
Para disa javësh u raportua se edhe kryeterroristi i grupit në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq bashkë me ish-shefin e BIA-s, Aleksandar Vulin ishin arratisur në Moskë.








