Bordi i Paqes ka dal me një deklaratë pas sulmit izraelit në Spitalin Nasser në Gaza ku u vranë gjashtë persona, mes tyre një kirurg dhe një fëmijë, si dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Deklarata thekson se zbatimi i menjëhershëm i planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump është i domosdoshëm për të parandaluar tragjedi të tjera dhe për të garantuar mbrojtjen e civilëve në Rripin e Gazës.
“Përndryshe, do të vazhdojmë të shohim tragjedi në të cilat Hamasi pretendon se Izraeli kryen sulme të qëllimshme ndaj spitaleve, ndërsa Izraeli pohon se Hamasi i shfrytëzon këto objekte për operacione terroriste, dhe në fund çmimin e paguajnë civilët e pafajshëm të Gazës”, thuhet në deklaratë.
Bordi i Paqes shpreh keqardhje për humbjen e jetëve civile dhe dënon atë që e cilëson si shfrytëzim të vazhdueshëm nga Hamasi të spitaleve dhe infrastrukturës tjetër jetike civile për qëllime ushtarake.
Në deklaratë, të dyja palëve u bëhet thirrje që të respektojnë menjëherë zotimet e marra në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes.
“Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi duhet t’i respektojnë menjëherë zotimet e tyre në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes, duke përfshirë mbrojtjen e civilëve, ruajtjen e armëpushimit dhe avancimin e çmilitarizimit të Gazës”, thuhet më tej.
Sipas Bordit të Paqes, tashmë është krijuar një kornizë strategjike që synon të garantojë sigurinë e banorëve të Gazës dhe qasjen e tyre në kujdesin thelbësor mjekësor, përmes objekteve të sigurta dhe të çmilitarizuara.
Në përfundim, Bordi u bën thirrje të gjitha palëve që të mundësojnë zbatimin e kësaj kornize, duke i dhënë institucionit autoritetin dhe hapësirën e nevojshme operacionale.
Gaza është përballur me përmbytje të tendave pas stuhive të fundit, ndërsa Izraeli vazhdon të bllokojë ndihmën humanitare të nevojshme. Mbi 90 për qind e popullsisë së Gazës janë të zhvendosur pasi lufta izraelite shkatërroi 90 për qind të territorit.
Shkeljet e vazhdueshme izraelite të armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, me ndërmjetësimin e SHBA-së, kanë lënë të vrarë 1,622 palestinezë dhe kanë plagosur 5,878 të tjerë./teve1.info/
https://t.co/8Uuv7GN7mm
— Board of Peace (@BoardOfPeace) November 12, 2026










