Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Zafir Berisha, ka shprehur keqardhje për atë që e konsideron rënie të nivelit politik të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Berisha ka kritikuar udhëheqjen e PDK-së, duke thënë se partia ka rënë në duart e, siç i quajti ai, “disa adoleshentëve politikë që e kanë humbur rrugën në oborr dhe nuk dinë çfarë bëjnë”.
Ai i ka cilësuar si qesharake dhe fëmijërore veprimet e fundit të PDK-së lidhur me Ligjin për Gjykatën Speciale.
Deklaratat e Berishës vijnë pas kërkesës së sotme të PDK-së në Komisionin për Legjislacion që të votohet për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula.
Kjo do të mundësonte që ligji të hyjë në fuqi në formën e miratuar nga Kuvendi, ndërsa ndryshimet të realizohen më pas përmes amendamenteve.
“Më vjen shumë keq për nivelin ku ka rënë PDK-ja, në duart e disa adoleshentëve politikë që e kanë humbur rrugën në oborr dhe nuk dinë çfarë bëjnë. As unë, as qytetarët dhe, besoj, askush nuk e ka të qartë pse PDK-ja ka kërkuar që ligji të rikthehet në Kuvend. Kjo është më shumë se qesharake, për të mos thënë veprim dhe sjellje fëmijërore, sepse tash PDK-ja ka kërkuar që ligji të kthehet mbrapa dhe, në të njëjtën kohë, sot ka insistuar përmes një mocioni që të miratohet i njëjti ligj”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka vlerësuar se iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Specialen ka qenë një ide e nxitur nga emocionet dhe presioni pas vendimit të 16 shtatorit në Hagë për dënimin e katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Unë po mendoj se ky ligj ka qenë më shumë një ide ad hoc, e menaxhimit ose thjesht e emocioneve që u krijuan pas një vendimi të papritur për pjesën dërrmuese. Edhe pse një pjesë e jona kemi pasur dilema për shkak të historikut të themelimit të Gjykatës Speciale, ideja për ndryshimin e ligjit lindi nga një presion pas vendimit që u mor më 16 shtator”, ka thënë ai.
I pyetur nëse zhvillimet e fundit i japin të drejtë qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila që nga fillimi kishte shprehur rezerva për këtë ligj, Berisha ka thënë se, ndonëse arsyet e rezervave të LVV-së kanë qenë të ndryshme, veprimet e fundit të PDK-së po e dëshmojnë qëndrimin e kësaj partie.
“Ata dilemat i kanë shprehur për arsye të tjera, por sjelljet e PDK-së po dalin që ata kanë pasur të drejtë. Në fakt, edhe kryetari i LVV-së, edhe kryetarja e Grupit Parlamentar, në seancën e leximit të parë i kanë shprehur publikisht rezervat e tyre për ligjin, duke lënë të nënkuptohet se nuk janë të interesuar për këtë”, ka deklaruar Berisha.
Në fund, ai është shprehur skeptik për mundësinë e ndryshimit të Ligjit për Specialen, duke shtuar se edhe në rast se ndryshimet realizohen, nuk pret që ato të kenë ndonjë efekt.
“Unë nuk pres që të ndodhë ndryshimi i ligjit, por edhe nëse ndodh si rezultat i ndonjë presioni të brendshëm, nuk pres të ketë efekte. Qëndrimet e mia kanë qenë që nga dita e parë se kjo gjykatë është dashur të zhbëhet me votim unanim dhe të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, sepse ky është një organ që ka bërë një puç të brendshëm”, ka përfunduar Berisha.
Ndryshe, ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale ishin votuar më 6 tetor, ndërsa më 22 tetor presidentja Justina Shiroka-Pula e kishte kthyer ligjin në Kuvend, pas kërkesës së PDK-së, e cila kishte iniciuar ndryshimet.
Ndërkaq, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, PDK-ja kërkoi që të votohet për rrëzimin e vetos së presidentes, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi në formën aktuale dhe ndryshimet të propozohen më vonë përmes amendamenteve./teve1.info/







