Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar Esmeralda Hasanin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), pas propozimit të kryeministrit Edi Rama.
Hasani do ta pasojë në këtë detyrë Vlora Hysenin, e cila u shkarkua pas akuzave për bashkëpunim me grupe kriminale dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore.
Në njoftimin për media, Presidenca theksoi se para dekretimit të Hasanit “janë kryer të gjitha procedurat ligjore të verifikimit si të parashikuara në ligj për rastet e emërimit në detyrë të zyrtarëve në poste të larta”.
Esmeralda Hasani është juriste me profesion. Ajo ka përfunduar studimet në Itali në fushën e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa ka edhe një master në planifikimin dhe zhvillimin e projekteve.









