Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka shprehur mirënjohje për veteranët e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me rastin e Ditës së Veteranëve Amerikanë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka vlerësuar sakrificën dhe kontributin e ushtarëve amerikanë, duke theksuar rëndësinë e veçantë që kjo ditë ka për popullin e Kosovës.
Ai ka rikujtuar rolin e SHBA-ve në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të ushtarëve amerikanë për paqen dhe sigurinë në vend.
“Për popullin e Kosovës, kjo ditë ka një domethënie të veçantë. Kontributi vendimtar i Shteteve të Bashkuara në çlirimin e Kosovës më 1999 dhe angazhimi i vazhdueshëm i ushtarëve amerikanë për paqen dhe sigurinë në vendin tonë mbeten pjesë e pandashme e historisë dhe mirënjohjes sonë”, ka shkruar Hoti.
Në mesazhin e tij, ministri ka falënderuar të gjithë veteranët amerikanë për shërbimin dhe sakrificën e tyre, duke ritheksuar mirënjohjen e përhershme të Kosovës ndaj tyre.
“Faleminderit të gjithë veteranëve amerikanë për shërbimin dhe sakrificën tuaj. Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse!”, ka përfunduar Hoti./teve1.info/




