Mbi 157 mijë euro është fatura e energjisë elektrike që Alajdin Fusha ka marrë vetëm për njërin nga bizneset e tij.
Por, kjo nuk është e vetmja faturë që e ka shqetësuar biznesmenin nga Prizreni.
Për muajin tetor, ai thotë se për të gjitha bizneset që drejton do të paguajë gjithsej mbi 225 mijë euro për energjinë elektrike.
Fusha, i cili mes tjerash merret edhe me përpunimin e qumështit, pemëve dhe perimeve, thotë se kjo shumë është alarmante, sidomos kur krahasohet me shpenzimet e muajve paraprakë.
“Ne duke e ditur që në muajin gusht kemi shpenzuar 1 milionë kilovatë edhe kemi paguat 125 mije euro komplet shpenzime dhe çmimi ka qenë 15 cent dhe tash për tetor kemi harxhuar shumë më pak rreth 300 mije kilovatë me pak 730 mijë kilovat dhe po paguajmë 225 mijë euro euro, kemi kursyer rryme dhe kemi me pagu me shume, 31 cent me TVSH është një çmim shume alarmant për neve”, ka thënë Fusha.
Kjo, sipas tij, do të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e bizneseve që ai drejton.
“Po na ndikojne ne shume aspketr, po na ndikon në fitimin e kompanisë, po na ndikon në rrogat e puntorëve sepse planifikon rritjen e rrogave por në anën tjetër rriten cmime të tjera, jemi ne hall gjatë kalkulimeve”, u shpreh tutje Fusha.
Ai kërkon që Qeveria të ndërhyje në mënyrë që faturat për muajin e ardhshëm të mos dyfishohen.
“Duhet urgjentisht Qeveria të ulet se si e ka rregulluar punën e naftës të rregulloje këte tavanin e cmimit të rrymës sepse ne tash në tetor kemi paguar 31 cent me TVsh për kilovat por nuk po mundemi me imagjinu nëntorin, dhjetorin dhe janarin”, theksoj Fusha.
Nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike kanë treguar arsyet që kanë dërguar në këtë rritje të çmimit të energjisë
“Konsumatorët që operojnë në tregun e hapur të energjisë elektrike lidhin kontrata individuale me KESCO Premium, ku çmimi i furnizimit përcaktohet përmes negocimit dhe marrëveshjes ndërmjet furnizuesit dhe konsumatorit. Për këtë kategori të konsumatorëve, KESCO Premium ka ofruar tri modele të furnizimit: oferta fikse, hibride dhe variabile, të cilat konsumatorët mund t’i përzgjedhin në bazë të nevojave dhe preferencave të tyre. Deri më tani, KESCO Premium nuk ka pranuar shqetësime apo ankesa nga konsumatorët lidhur me këtë çështje”, kanë thënë nga KESCO.
Tëvë 1 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Ministrisë e Industrisë në lidhje me kërkesat e bizneseve të cilat operojnë në treg të hapur, por nuk ka marrë përgjigje.






