Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, përmendi ndërhyrjen ushtarake në Kosovë më 1999, gjatë presidencës së Bill Clintonit, teksa mbrojti veten nga një nismë për shkarkimin e tij, e iniciuar nga një kongresist i Partisë Republikane.
Në një konferencë për media në Pentagon, më 10 nëntor, Hegseth argumentoi se asnjë sekretar amerikan i Mbrojtjes nuk ishte shkarkuar për udhëheqjen e operacioneve ushtarake që ai i cilësoi të ligjshme.
“Asnjëherë, me apo pa rezolutë për kompetencat e luftës. As nën Reaganin në Liban, as nën Clintonin në Kosovë, as nën Obamën në Irak dhe Siri, as nën Bidenin në Irak dhe Siri. Ky është standardi”, tha Hegseth.
Ai iu referua ndërhyrjeve të mëparshme amerikane për të kundërshtuar përpjekjen për shkarkimin e tij, të cilën e cilësoi si mosmarrëveshje politike dhe jo si çështje të shkeljes së ligjit.
Shtetet e Bashkuara udhëhoqën fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave jugosllave në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë.
Ndërhyrja 78-ditore synonte t’i jepte fund dhunës dhe dëbimit të shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.
Deklarata e Hegsethit vjen pasi kongresisti republikan, Thomas Massie, paraqiti më 9 nëntor tetë akuza për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve amerikane, gjatë udhëheqjes së operacioneve ushtarake.
Akuzat lidhen kryesisht me luftën e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, përfshirë pretendimin se operacionet janë zhvilluar pa autorizimin e Kongresit.
Hegseth i hodhi poshtë akuzat, duke këmbëngulur se operacionet ishin të ligjshme, të urdhëruara nga presidenti Donald Trump dhe të zbatuara nga ushtria amerikane.
Ai e përshkroi nismën si përpjekje për të dëmtuar presidentin Trump dhe forcat e armatosura amerikane./REL







