Nga e shtuna, po qëndron në Francë.
E të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte pjesë e panelit në Forumin e Paqes në Paris.
Për Kurtin, pati pyetja nga audienca.
Kryeministri tha se po punohet për apelin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Vetëm një fjali sa i përket drejtësisë ndërkombëtare: nëse nuk jeni të kënaqur me aktgjykimin, bëni të gjitha përpjekjet e nevojshme për të paraqitur apel dhe mos ndaloni kurrë së besuari në të vërtetën dhe së punuari për drejtësi”, ka thënë Kurti.
Duke folur për luftën në Kosovë, Kurti tha se viktimat e dhunës seksuale duhet të trajtohen dhe rehabilitohen.
Audiencës ai i rrëfeu edhe për rindërtimin e Kosovës pas luftës.
“Në verën e vitit 1999, dolëm nga një luftë shkatërruese, e cila la pas vuajtje të mëdha njerëzore në përmasa të gjera. Mbi 10 mijë civilë u vranë, mes tyre mbi 1.300 fëmijë. Rreth 120 mijë shtëpi u shkatërruan ose u dogjën, ndërsa mbi një milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të fushatës gjenocidale të Serbisë së Millosheviqit. Megjithatë, ne kishim shpresa të mëdha dhe filluam rindërtimin e vendit tonë. Mësimi i parë është se rindërtimi nuk bëhet përmes nostalgjisë. Ne nuk rindërtojmë asnjë situatë duke u përpjekur të kthehemi prapa, por për t’i mundësuar vetes të ecim përpara. Prandaj, i rindërtuam shtëpitë, por jo saktësisht ashtu siç kishin qenë më parë”, u shpreh tutje Kurti.
Nga Parisi, Kurti tha se si qeveri kanë punuar për të ulur pabarazinë në sektorin publik.
“Për shembull, në Republikën e Kosovës, para gjashtë vjetësh, raporti ndërmjet pagës më të lartë në sektorin publik, përkatësisht në administratën publike, dhe pagës më të ulët ishte 20 me 1. Tani, në këtë moment që po flasim, është 4 me 1. Pra, e kemi zvogëluar pabarazinë pesëfish. Kjo është e mirë për qytetarët, sepse zvogëlimi i pabarazisë krijon kohezion shoqëror. Por duhet të them se është e mirë edhe për ekonominë, sepse kërkesa agregate rritet kur pabarazia në shoqëri është më e vogël”, theksoj tutje Kurti.
Gjatë qëndrimit të tij në Paris, Kurti ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë francez.
Në mesin e tyre me Presidentin e Senatit, Gerard Larcher.






