Gëzim Kastrati është ndër të parët që hyn në sallë.
15 vite pas vrasjes së vajzës së tij, Diana Kastrati, në Gjykatën Themelore të Prishtinës nisi gjykimi në mungesë. I akuzuar është Adnon Jashari, që deri tash është i pakapshëm për drejtësinë.
Jashari akuzohet se e privoi nga jeta me armë zjarri ish bashkëshorten e tij, Dianën, e cila në atë kohë kishte urdhër mbrojtës, për shkak të dhunës dhe kërcënimeve të vazhdueshme që merrte nga Jashari.
“Policia e Kosovës përmes email të datës 6.11.2026, por edhe sot më kanë njoftu se kanë qenë në lokacionin e të pandehurit, Adnon Jashari. Mirëpo të njëjtit, ia kanë dhënë edhe një ftesë njerkës së tij, e cila ka deklaruar se nuk kanë njohuri se ku gjendet i njëjti, pasi që nuk kanë komunikim”, ka thënë Hoti.
Për mungesë të komunikimit nga ana e gjyqësorit, u ankua mbrojtja e të akuzuarit.
“Gjykimet në mënyrë klandestine, me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim për hir të ndodhive të fundit në Kosovë, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Çka ka bo kjo landë nga 2023-ta në Gjykatë?”, u shpreh Millaku
“Kjo seancë është caktu qe një muaj e gjysmë, e keni në ftesa”, tha tutje Hoti.
Në lidhje me lëndën, mbrojtja theksoi se nuk është e pajisur me shkresa të lëndës, për çka kërkoi shtyerje të seancës.
“Të pajisem me shkresat e lëndës në të gjitha rrugët ligjore, dhe procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme që unë të jem në nivel të detyrës”, deklaroj Millaku.
Krejt ndryshe ishte versioni i prokurores, sa i përket shkresave të lëndës.
“Sa i përket shkresave të lëndës, të njëjtat i janë dorëzuar që nga muaji prill i këtij viti avokates e cila është caktuar sipas detyrës zyrtare. Nga kjo kohë e deri më tani, avokati ka pasë kohë të interesohet për shkresat e lëndës”, tha Cacaj.
Në këtë situatë, seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj u caktua për në muajin dhjetor.
Këto vonesa e shtyerje të gjyqit, nuk ia zbehin shpresën për drejtësi babait të Diana Kastratit.
“Qe 15 vite është një drejtësi e vonuar, por besojmë dhe shpresojmë se do ta merrë epilogun e merituar për gjitha këto vite, gjitha këto vuajtje, për gjithë shkaktarët e vuajtjeve familjare”, deklaroj babi i Diana Kastratit, Gëzim Kastrati.
Pjesë e kërkesës së familjes Kastrati, është sigurimi i prezencës së të akuzuarit.
“Do të jetë një kërkesë e vazhdueshme që i pandehuri të ballafaqohet me drejtësinë dhe mungesa e të pandehurit në këtë procedurë është një drejtësi e mangët”, ka thënë Haxhiu.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë u ngrit në vitin 2023, ku Adnon Jasharit i vihet në barrë vepra penale “vrasje e rëndë”.






