Një incident serioz është raportuar në objektin e Ministrisë së Ekonomisë, ku një zyrtar i këtij institucioni dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri një koleg të tij, i cili njëkohësisht është edhe mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë në vendin e punës.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministria e Ekonomisë, e cila ka konfirmuar se ngjarja është raportuar në Policinë e Kosovës dhe se zyrtari i dyshuar është arrestuar pas ndërhyrjes së organeve kompetente.
Në reagimin e saj, Ministria ka bërë të ditur se personat e përfshirë në incident, si dhe zyrtarët që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, janë intervistuar nga organet përkatëse.
“Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse, zyrtari i dyshuar është arrestuar. Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sipas sqarimeve të institucionit, zyrtari i dyshuar kishte qenë që nga muaji shtator subjekt i një procedure disiplinore, e cila lidhej me çështje të mosrespektimit të detyrave dhe përgjegjësive të punës.
Ministria e Ekonomisë e ka cilësuar incidentin si çështje tejet serioze, duke theksuar se kërcënimet me armë dhe çdo veprim që rrezikon sigurinë dhe jetën e punonjësve nuk mund të tolerohen.
“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë”, thuhet më tej në reagimin zyrtar.
Tutje, institucioni ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet që janë në kompetencën e tij ligjore, me qëllim të trajtimit institucional të rastit dhe shqyrtimit të përgjegjësive të mundshme disiplinore apo administrative.
Në fund, Ministria ka theksuar se siguria e punonjësve dhe krijimi i një ambienti të sigurt e profesional të punës mbeten ndër prioritetet e saj, ndërsa ka bërë të ditur se nuk do të japë komente të tjera për rrethanat e incidentit deri në pranimin e raportit nga organet kompetente të drejtësisë.







