Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar të hënën një takim koordinues me kryetarët e komisioneve parlamentare, ku në fokus të diskutimeve ishin prioritetet, planet e punës dhe nevojat e komisioneve.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Haxhiu i ka falënderuar drejtuesit e komisioneve për angazhimin dhe punën e tyre, duke theksuar rëndësinë e rolit që këto komisione kanë në procesin legjislativ dhe në ushtrimin e mbikëqyrjes parlamentare.
Gjatë takimit, kryetarja e Kuvendit ka vënë në pah nevojën për forcimin e mbikëqyrjes ndaj agjencive dhe institucioneve që raportojnë në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, kryetarët e komisioneve e kanë njoftuar Haxhiun për planet e punës të miratuara, aktivitetet e planifikuara dhe sfidat me të cilat po përballen gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe puna e Komisionit për Legjislacion në hartimin e Kodit të Etikës, i cili, sipas njoftimit, së shpejti pritet t’i prezantohet Kryesisë së Kuvendit.
Po ashtu, drejtuesit e komisioneve kanë paraqitur nevojat për shtim të stafit dhe mbështetje më të madhe në funksionimin e tyre.
Kryetarja Haxhiu ka shprehur gatishmërinë për adresimin e këtyre kërkesave, duke bërë të ditur se po punohet për gjetjen e zgjidhjeve konkrete, përfshirë edhe digjitalizimin e punës së komisioneve parlamentare./teve1.info/




