Një person i kërkuar nga organet e drejtësisë, i dënuar me pesë vjet burgim efektiv për vepra penale që lidhen me narkotikët, është arrestuar të hënën në Prizren nga Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 11:00, patrulla policore e Stacionit Policor në Prizren është informuar nga zyrtarët e inteligjencës se personi ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest aktiv po lëvizte me automjet në territorin e qytetit.
Pas marrjes së informacionit, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe brenda një kohe të shkurtër ka lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar.
Në të ndodheshin tre persona, të cilët janë kontrolluar nga zyrtarët policorë.
Gjatë verifikimit të identitetit, është konstatuar se drejtuesi i automjetit ishte personi ndaj të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarrest aktiv.
Ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë me pesë vjet burgim efektiv për vepra penale që ndërlidhen me narkotikët.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të personave të tjerë që ndodheshin në automjet, tek njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një sasi e dyshuar e kokainës, me peshë rreth shtatë gramë.
Personi tek i cili është gjetur substanca e dyshuar narkotike, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren për procedura të mëtejshme.
Personi i tretë, pas verifikimeve të nevojshme, është liruar dhe ndaj tij do të vazhdohet procedura e rregullt.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, mbetet e përkushtuar në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të gjithë personave ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër arreste aktive. Për realizimin e këtij objektivi është formuar edhe një grup i veçantë operacional (Task Forcë), i cili është i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në zbatimin e urdhër arresteve dhe sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







