Ambasada Gjermane në Kosovë ka shënuar 37-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, duke kujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë evropiane, që simbolizoi fundin e ndarjes së Gjermanisë dhe triumfin e lirisë e bashkimit.
Në një postim në Facebook, ambasada rikujtoi se më 9 nëntor 1989, pas 28 vjetësh ndarje, Muri i Berlinit ra, duke i hapur rrugë ribashkimit të Gjermanisë më 3 tetor 1990.
Ambasada theksoi se kjo ngjarje pati ndikim të madh jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Evropën dhe botën.
“Rënia e Murit të Berlinit mbetet një kujtesë se shoqëritë mund të kapërcejnë përçarjet dhe të ndërtojnë perspektiva të reja për të ardhmen”, thuhet në mesazhin e publikuar.
Në fund, ambasada ngriti edhe pyetjen se cilat mësime mund të nxirren sot nga kjo ngjarje historike për të forcuar dialogun, lirinë dhe lidhjet mes njerëzve.







