Me 2 nëntor, Qeveria e Kosovës e miratoi projektbuxhetin për vitin 2027.
E vlera e tij, kap shumën e 4.27 miliardë eurove.
Në këtë mbledhje u paralajmërua rritja e shtesave për fëmijë dhe ajo e pagave.
Por në gjithë këtë mes, kategoria që nuk përfitoi, ishte ajo e pensionistëve.
Kjo ka ngjallur pakënaqësi te të moshuarit.
Këta thonë se pensionet aktuale nuk ua mbulojnë as shpenzimet elementare.
“Çdo i dyti pensionist ka nevojë për ilaçe. Ilaçet shumë të shtrenjta edhe nuk gjinden. Nuk kemi sigurim social, ilaçet me pare. Pensioni i vogël është marre, është turp për këtë klasë sunduese që nuk na ka paraprë në buxhet për rritjen e pensioneve”, ka thënë, Asllan Asllani, sekretar i shoqatës së të moshuarve.
E përveç nevojave elementare, pensionistët po kërkojnë edhe hapësira ku mund ta kalojnë kohën së bashku.
“Kjo mosha jonë don trajtim edhe ma të madh. Mirëpo trajtimi më i madh për pensionistët është me na i bo si studentave një konvikt të pleqërisë, mi pasë krejt aty me ping-pong e me shah”, tha Azem Geci, (pensionist).
I pakënaqur me trajtimin nga shteti, është edhe pensionisti, Sejdi Merkoja.
“Unë fillimisht nuk i besoj kësaj Qeverie që gjashtë vite vetëm një herë janë rritë pensionet, kështu që nuk kam besim në të”, deklaroi Sejdi Merkoja (pensionist).
E ankesa kanë edhe në Shoqatën e të Moshuarve.
Sekretari në këtë shoqatë, Asllan Asllani, thotë se pensionistët po anashkalohen vazhdimisht.
“Mu më vjen keq që pensionistët jo veç kësaj here, por në vazhdimësi i anashkalojnë. Është dashtë që edhe për pensionistë me parapa një rritje, aq sa është inflacioni, sa rriten çmimet, me u rritë edhe pensionet”, theksoi Asllan Asllani, sekretar i shoqatës së të moshuarve.
Ndryshe, pensioni bazik në Kosovë aktualisht është 150 euro, teksa rritja e fundit u bë në nëntorin e viti 2025.






