“Dy kombe, nji etni – Formimi i subjektivitetit kosovar”.
Është ky libri i autorit Betim Berisha, i cili u promovua këtë të shtunë.
Libri trajton një çështje themelore të historisë dhe të identitetit politik të shoqërisë kosovare: formimin e subjektivitetit kosovar dhe raportin ndërmjet përkatësisë etnike shqiptare dhe asaj kombëtare kosovare.
Në promovim morën pjesë studiues, shkrimtarë dhe publicistë, të cilët diskutuan për temat e shtjelluara në libër dhe rëndësinë e tyre në debatin mbi identitetin kosovar.
Publicisti dhe kolumnisti Bardhyl Meta veçoi tri konstatime kryesore që, sipas tij, dalin nga kjo vepër.
“Konstatimi i parë është që identiteti nuk është statikë, por shtetëzohet. Autori na tregon se identitetet lindin, shtresëzohen dhe transformohen përmes historisë së jetuar. Konstatimi i dytë është se Kosova ka krijuar subjektivitetin e vet politikë e shtetërorë pra kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Konstatimi i tretë është se si rrjedhojë lindja e një kombi të ri nuk përmban tradhti por është finskrimi i historisë sonë”, deklaroi Meta.
Ndërkaq, studiuesi Nexhmedin Spahiu vlerësoi rëndësinë e botimit të kësaj vepre.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot u botua një libër i tillë i cili paraqet rrugëtimin historikë të formësimit identitarë, të krijimit të një kombi që është kombi kosovarë. Është diçka që duhet të zgjojë vëmendje edhe që lexuesi duhet të shoh se çfarë ka ndodh të rikujtohet në formësimin e vet identitar, cilat janë etapat historike që e kanë formësuar atë identitet”, theksoi Spahiu.
Kurse shkrimtari dhe publicisti Halil Matoshi u ndal te përmbajtja dhe qasja e autorit.
“Mua më ka pëlqyer libri se lexohet me një frymë, nuk ka citatet, nuk ka definicione nuk ka teori të thatë. Libri është domethënë një trajektore e zhvillimit të identitetit kosovarë prej kur fillon shqiptari me menduar për vete në vitin 1912 e deri më sot”, pohoi Matoshi.
Ndërsa për arsyet dhe motivet që e shtynë të botojë këtë vepër, foli edhe vetë autori, Betim Berisha.
“Libri ka ardh si rrjedhojë e një testimi dhe reflektimi të thellë mbi këtë rrugëtim historikë të shoqërisë kosovare dhe proceset historike nëpër të cilat ka kaluar shoqëria kosovare. Shoqëri e cila gradualisht ka filluar etapë pas etape me ndërtua subjektivitetin e vet politik dhe kombëtarë”, theksoi Berisha.
Ndryshe promovimi u shndërrua në një hapësirë diskutimi mbi një temë që vazhdon të jetë pjesë e debatit publik në Kosovë: raportin mes etnisë, kombit dhe subjektivitetit kosovar.






