Me vlerë 4.27 miliardë euro, partia në pushtet po krenohet se ka miratuar projektbuxhetin më të madh që ka pasur Kosova ndonjëherë.
Madje, sipas deputetit të Vetëvendosjes, Valon Hoti, rritja e buxhetit do të ketë impakt të rëndësishëm në disa sektorë.
“Buxheti i këtij viti që po vjen për dallim prej vitit të kaluar është 4.3 totali e 1.1 miliardë investime kapitale. Pra investimet kapitale kanë me bo që zhvillimi ekonomik të ecë edhe më shpejt e të ketë edhe përfundim të projekteve që janë të nisura më herët por edhe për projektet e reja që janë me rëndësi vitale për zhvillimin e vendit”, tha Hoti.
Mirëpo, në të njëjtë linjë mendimi nuk partitë opozitare.
Anëtari i komisionit parlamentar për buxhet nga PDK, Mërgim Lushtaku, nuk pret ndonjë ndryshim të madh në teren.
“Realisht kemi pasur një inflacion tepër të madh këtë vit dhe kemi parë edhe nga buxheti i kaluar edhe nga ky 2026 që planifikimi nominal ishte i madh por ai real ishte shumë i vogël dhe në rishikim është përmirësuar kjo pjesë prandaj edhe buxheti që planifikohet si të mirëqenë që mund të realizohet me të hyrat që planifikohen dhe kemi parë nga praktika që leje që nuk ka pas të hyra sipas planifikimit por as nuk ka pasur realizueshmëri të buxhetit me projekte konkrete, qoftë përmes rrugëve apo infrastrukturave të objekteve shkollore, arsimore, spitalore që ndikon drejtpërdrejt edhe në jetën e qytetarëve dhe në këtë drejtim nuk po shohim politika të mirëfillta fiskale që edhe e stabilizojnë ekonominë edhe e zvogëlojnë importin dhe e rrisin eksportin, iu ndihmojnë prodhuesve”, deklaroi Lushtaku.
Prandaj, partitë opozitare paralajmëronë se do të kërkojnë miratimin e disa amendamenteve.
Deputeti i LDK-së, kërkon më shumë bashkëpunim në këtë pikë.
“Ndërhyrjet tona do të jenë me propozim amendamenteve të caktuara por nga praktika e keqe e ndërtuar nga shumica që edhe në të kaluarën nuk janë pranuar besoj që kësaj here duhet të gjejnë mirëkuptimin sepse ky është buxhet i Kosovës i takon të gjithë qytetarëve pa përjashtim dhe nuk duhet të ketë ndarje selektive të buxhetit të Republikës së Kosovës”, vlerësoi Armend Zemaj, deputet i LDK-së.
Kritika për mënyrën se si menaxhohet buxheti kanë edhe ekonomistët.
Për Visar Vokrrin nga Riinvest, trendi do të vazhdoj të jetë i njëjtë me vitet e kaluara.
“Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh një rritje si nga ana e të hyrave ashtu edhe shpenzimeve mirëpo mund të them që kjo rritje pak a shumë e përcjell një trend që e kemi pasur deri tani, gjithsesi Nuk është një rritje cilësore dhe nuk është rritje e bazuar në rritje të produktivitetit por rritje që buron nga të hyrat apo tatimet indirekte të cilat reflektojnë pak a shumë rritjen e konsumit dhe të mallrave nga importi. Pra rritje e cila është e ndjeshme ndaj luhatjes së çmimeve dhe kërkesës në treg. Pra nuk po flasim për një rritje unë të paktën kështu e shoh, një rritje që reflekton rritje solide ekonomike. Pra po e përcjellim njëfarë trendi që e kemi pas ndoshta me dekada”, tha Vokrri.
Një e katërta e buxhetit për vitin 2027 është planifikuar që të shkoj për paga. Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se shtesat për fëmijë do të rriten për 25 për qind nga janari i vitit 2027. Me projektbuxhet, është paraparë edhe paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, si dhe rritja e koeficientit të pagave nga 110 euro në 120.



