Ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj Dukagjin Lekajt, i njohur edhe si Dukagjin Nikollaj, me nofkën “Duka”, lidhur me përplasjen e armatosur në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë Kastriot Ramadani dhe u plagosën disa persona të tjerë.
Në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Lekaj nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë ndaj Andi Pajazitit, ndërsa është deklaruar fajtor për mbajtje të paautorizuar të armës.
Ngjarja për të cilën akuzohet Lekaj ka ndodhur më 4 gusht 2023, kur një përleshje me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant” përfundoi me vrasjen e Kastriot Ramadanit dhe plagosjen e disa personave.
Pas ngjarjes, Lekaj ishte larguar nga Kosova dhe kishte qëndruar në arrati deri në arrestimin e tij nga autoritetet spanjolle në vitin 2025. Ai më pas u ekstradua në Kosovë më 6 gusht 2026, pas bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre spanjolle.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 29 tetor 2026, Lekaj dyshohet se kishte tentuar ta privonte nga jeta Andi Pajazitin gjatë përplasjes në “Bon Vivant”.
Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se, pasi kishte parë Pajazitin duke hyrë në lokal, Lekaj kishte marrë çantën në të cilën mbante armën, e kishte vendosur para gjoksit dhe e kishte ftuar atë të afrohej te tavolina.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, situata ishte tensionuar pasi Kastriot Ramadani e kishte goditur Pajazitin dy herë me shishe në kokë, ndërsa Lekaj kishte tentuar ta nxirrte armën.
Në këtë moment, sipas aktakuzës, Hysni Geci kishte ndërhyrë duke ia mbajtur dorën Lekajt, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Megjithatë, Prokuroria pretendon se Lekaj kishte arritur ta nxirrte armën dhe, pasi Pajaziti ishte larguar nga lokali, e kishte ndjekur me armë në dorë, me qëllim që ta privonte nga jeta.
Lekaj i ka mohuar këto pretendime, duke mos e pranuar fajësinë për tentimvrasje.
Dukagjin Nikollaj, i njohur si “Duka”, kishte qenë në kërkim edhe nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas dosjes amerikane, ai dyshohej për përfshirje në trafikim ndërkombëtar të narkotikëve, konkretisht për furnizimin me sasi të mëdha marihuane nga Kanadaja dhe shpërndarjen e tyre në zonën e New Yorkut gjatë viteve 2003–2007.
Më 27 maj 2010, në Distriktin Jugor të New Yorkut ishte lëshuar ndaj tij një urdhërarrest federal për dyshimet lidhur me komplotin për shpërndarje të narkotikëve.








