Efektivët e Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile (BMEC) të Shqipërisë dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët në fushën e kërkim-shpëtimit malor në Prevallë të Prizrenit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, i cili ka njoftuar se aktiviteti është mbajtur nga 2 deri më 5 nëntor 2026.
Sipas tij, stërvitja kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy strukturave, testimin e pajisjeve të reja dhe praktikimin e teknikave të kërkim-shpëtimit në terrene malore.
Gjatë ushtrimit është praktikuar edhe evakuimi i një personi të lënduar në terren malor.
“Një aktivitet që forcon bashkëpunimin në shërbim të jetës, si dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy strukturave”, ka deklaruar Nufi në një postim në Facebook.
Stërvitja synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe avancimin e aftësive profesionale të ekipeve për reagim në situata emergjente dhe operacione të kërkim-shpëtimit.








