Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të Drejtorit të prokurimit të Policisë së Kosovës.
Sipas komunikatës hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar një hetim paraprak ndaj zyrtarit në fjalë me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.
“Dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale, për të cilat janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës. Për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit hetimor, IPK i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të zyrtarit në fjalë deri në përfundimin e hetimit penal”, thuhet në komunikatë.
IPK ka bërë të ditur se në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtyre dyshimeve.







