Në një operacion kundër bixhozit të kundërligjshëm janë arrestuar 22 të dyshuar në Rajonin e Prizrenit.
Hetimet janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, me mbështetjen dhe ndihmën e stacioneve policore dhe njësive të tjera policore të Rajonit të Prizrenit.
“Më datë 04.11.2026, në orët e mbrëmjes, pas një pune dhe veprimeve operative-hetimore të zhvilluara për një kohë të gjatë, duke përfshirë edhe masa dhe veprime të veçanta hetimore, është realizuar një operacion hetimor kundër lojërave të fatit, konkretisht lojërave online të fatit, në Rajonin e Prizrenit, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren. Në zbatim të urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prizren është zbatuar plani operativ “Bixhozi”. Në kuadër të këtij plani operativ janë kontrolluar 20 lokacione (lokale afariste dhe shtëpi banimi), nën dyshimin për zhvillimin e aktiviteteve ilegale të bixhozit, përkatësisht organizimit të lojërave online të fatit”, shkruhet në njoftim.
Operacioni ka përfshirë lokacione në tri komuna: Prizren, Suharekë dhe Dragash.
“Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar materiale të ndryshme që mund të shërbejnë si prova dhe dëshmi lidhur me dyshimin e bazuar se të dyshuarit e identifikuar kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke përfshi para kesh rreth 10 mijë euro dhe pajisje elektronike. Gjithashtu janë sekuestruar katër armë zjarri dhe municion”, thuhet në njoftim.







