Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka kërkuar zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, duke theksuar se përgjegjësia për hetimin dhe zbardhjen e plotë të tij i takon Prokurorisë.
Rexhaj, në një deklarim në Kuvend, tha se pavarësisht vonesave, ende nuk është tepër vonë për të hetuar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin, përfshirë arrestimin, burgosjen, vdekjen dhe veprimet e ndërmarra pas saj.
Ai e kujtoi Deharin si student të mjekësisë, aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje dhe shok të tyre, duke theksuar bindjen e tij se padrejtësia ndaj një personi është përgjegjësi e të gjithëve.
“Askush tjetër përveç Prokurorisë nuk e ka për detyrë ta zbardh rastin e Astrit Deharit, presim të veprojnë edhe pse vonë nuk është aq vonë për të hetuar veprimet që quan te burgosja, vrasja dhe veprimet pas vrasjes, Astriti ishte student i mjekësisë dhe aktivist i LVV-së dhe shoku ynë, besonte se padrejtësia që I bënte dikujt na ngarkon të gjithëve me përgjegjësi, me atë bindje jetoi dhe veproi, me atë bindje ngrihemi sot në Kuvend dhe kërkojmë atë që familjes së tij dhe vajzës së tij i detyrohemi prej dhjetë vjetësh drejtësi për Astritin”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka nisur sot seancën plenare, në të cilën deputetët pritet të shqyrtojnë një sërë çështjesh, përfshirë tri projektligje dhe Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025./teve1.info/







