Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Golan, akuzoi të mërkurën kryeministrin Benjamin Netanyahu për përpjekje për grusht shteti, duke e akuzuar se refuzon të pranojë humbjen në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit.
Golan, kreu i partisë Demokratike, i cilësoi zhvillimet e fundit si kërcënim serioz për demokracinë izraelite.
“Netanyahu humbi. Ai refuzon të njohë rezultatet dhe po përpiqet të kryejë një grusht shteti dhe të marrë pushtetin me forcë”, shkroi ai në platformën X.
Ai pretendoi se policia kishte arrestuar aktivistë pa urdhër-arreste dhe se Shin Bet ishte përpjekur të merrte në pyetje zyrtarë të lartë pa paraqitur prova.
Golan paralajmëroi gjithashtu institucionet e sigurisë që të jenë besnike ndaj ligjit dhe shtetit, jo ndaj kryeministrit apo partive politike, shkruan Anadolu.
Ndërkohë, liderët e opozitës ranë dakord të martën t’i rekomandojnë Presidentit Isaac Herzog kandidatin Gadi Eisenkot për formimin e qeverisë së re. Në takimin në Herzliya morën pjesë edhe Naftali Bennett, Avigdor Lieberman, Yair Lapid dhe Yair Golan.
Ata u zotuan të krijojnë një “qeveri emergjence kombëtare” dhe të nisin negociatat për marrëveshjen e koalicionit, duke akuzuar Netanyahun dhe partinë Likud për përpjekje për të delegjitimuar rezultatet e zgjedhjeve.
Zgjedhjet e 27 tetorit lanë bllokun e Netanyahut me 53 vende në Knesset, opozitën me 48 dhe partitë arabe me 19. Asnjëra palë nuk siguroi shumicën prej 61 vendesh të nevojshme për formimin e qeverisë.
Nëse opozita dhe ligjvënësit arabë mbështesin Eisenkotin, ai mund të marrë rekomandimin e 67 deputetëve. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë marrëveshje për koalicionin, pasi Lieberman ka përjashtuar pjesëmarrjen në një qeveri minoritare të mbështetur nga partitë arabe.
Sipas sistemit parlamentar izraelit, kandidati i mandatuar ka 28 ditë për të formuar qeverinë, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë.
Knesseti i ri pritet të mblidhet për herë të parë më 10 nëntor, ndërsa opozita synon gjithashtu zëvendësimin e kryetarit aktual të parlamentit, Amir Ohana.









