Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim në disa fusha, megjithatë luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet një sfidë për institucionet e vendit.
Këto komente Schuebel i ka bërë të mërkurën, në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, të cilit ia dorëzoi Raportin për Vendin 2026 të Komisionit Evropian.
Duke komentuar gjetjet e raportit, ambasadori ka thënë se dokumenti përfshin edhe zhvillimet në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe ndryshimet politike e institucionale gjatë periudhës raportuese.
Ai ka vlerësuar se mandati i plotë i qeverisë dhe funksionimi i institucioneve krijojnë kushte më të mira për avancimin e reformave dhe përmbushjen e agjendës evropiane.
“Raporti përfshin periudhën prej 7 tetorit 2025 deri më 7 tetor 2026. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur tri vite dhe një qeveri që ka punuar me kapacitete të plota. Kjo ka sjellë një situatë të caktuar dhe reflektohet edhe në raport. Sot situata është më ndryshe. Kemi një mandat të plotë të qeverisë dhe kjo është diçka që e mirëpresim. Kjo do të ndihmojë në forcimin e stabilitetit të institucioneve të Kosovës. Është një mundësi për të ecur më shpejt përpara dhe kemi parë një dinamikë në zbatimin e agjendës së reformave”, ka deklaruar Schuebel.
Sa i përket progresit, ai ka përmendur disa fusha ku Kosova ka shënuar rezultate, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, reformën e administratës publike, statistikat dhe lëvizjen e lirë të kapitalit.
Ai ka veçuar edhe miratimin e legjislacionit për luftimin e shpëlarjes së parave, por ka theksuar se korrupsioni vazhdon të kërkojë angazhim më të madh institucional.
“Raporti tregon progresin e Kosovës në disa fusha, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, reformat në administratën publike, statistikat, lëvizjen e lirë të kapitalit, si dhe miratimin e ligjit për luftën kundër shpëlarjes së parave. Megjithatë, lufta kundër korrupsionit mbetet një çështje që duhet të adresohet dhe për të cilën duhet të punohet më tutje”, ka thënë ambasadori./teve1.info/







