Një grup të rinjsh dhe qytetarësh u mblodhën sërish pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në vijim të protestave të ditëve të fundit.
Gjatë qëndrimit para Kryeministrisë është shënuar edhe një incident ndërmjet protestuesve dhe forcave të policisë.
Sipas medieve, situata është përshkallëzuar pasi policia ka shoqëruar dy protestues, Edison Likën dhe Dritan Goxhjan, të cilët kanë refuzuar të marrin fletën e gjobës së vendosur ndaj tyre nga ana e efektivëve.
Qytetarët kanë dalë para furgonit të policisë duke tentuar që të pengojnë shoqërimin e dy protestuesve, ndërsa policia ka përdorur spraj lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Tubimi i sotëm vijoi pas protestës së zhvilluar gjatë ditës ku një grup studentësh marshuan nga Universiteti Politeknik, drejt Fakultetit Ekonomik dhe Ministrisë së Arsimit, ku protestuan për disa orë, përpara se të zhvendoseshin drejt Kryeministrisë.










