Është sasi e madhe e drogës.
37 kilogramë të llojit heroinë, u kapën të martën në një aksion të gjerë të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Në një konferencë për media, u tha se ky operacion i gjerë i institucioneve rezultoi me arrestimin e pesë personave.
“Ky aksion është rezultat i një hetimi të nisur së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Falë profesionalizmit dhe bashkëpunimit hetimi është përfunduar me rezultat brenda afatit rekord”, tha Dren Paca, ushtrues detyre i kryeprokurorit.
Atu u tha se bëhej fjalë për një grup të mirë organizuar kriminal.
“Është sekuestruar dhe konfiskuar sasi në vlerë prej 550 mijë euro… Ndaj të dyshuarve është shqiptuar vendimi për ndalim prej 48 orësh”, tha Atdhe Dema nga Prokuroria Speciale.
Detaje më shumë për aksionin dha Reshat Murseli, drejtori i Anti-Drogës në Policinë e Kosovës.
“Është e vendosur në një qese najloni e më pas një sasi tjetër e drogës e ndarë në 61 paketime të prezantuara këtu para jush e cila ishte e kamufluar në një pako letre brenda disa mallrave komercialë. Po ashtu në një nga banesat e bastisura te i dyshuari I.S, shtetas turk është gjetur dhe konfiskuar një sasi një kilogramë e dyshuar për heroinë”, tregoi detaje, Reshat Murseli-drejtor i anti-drogës.
E droga dyshohet që ka ardhur nga shtetet aziatike dhe kishte qëllim eksportimin në vende tjera të Evropës.
“Nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme, gjegjësisht Iranit këtu në Republikën e Kosovës dhe në bazë të hetimeve të deritanishme dyshohet se kanë pasur qëllim tregun jashtë vendit”, tha ai.
Dy nga të arrestuarit janë shtetas turkë, një nga Maqedonia e Veriut dhe dy shqiptarë të Kosovës.
I gjithë hetimi kishte nisur më 30 tetor dhe përfunduar më 3 nëntor me finalizimin e këtij operacioni.
Gjatë aksionit, u sekuestruan edhe 5 mijë e 300 euro dhe 100 dollarë amerikanë para të gatshme, një veturë; dhjetë telefona celularë, Një pajisje DVR për regjistrimin e kamerave të sigurisë, 15 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe një prerëse.






