Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se bllokadat institucionale kanë ndikuar në zbatimin e reformave evropiane në Kosovë gjatë periudhës raportuese.
Ajo ka theksuar se, pavarësisht vështirësive, së fundmi Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave. Kos ka mirëpritur gjithashtu zgjedhjen e presidentes së re, duke shprehur shpresën se stabiliteti i ripërtërirë institucional do t’i mundësojë vendit të shënojë përparim.
“Bllokada institucionale ka ndikuar në zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian gjatë periudhës raportuese. Megjithatë, së fundmi Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave. BE-ja e ka mirëpritur zgjedhjen e presidentes së re dhe shpresojmë që stabiliteti i ripërtërirë institucional do t’i mundësojë Kosovës të përparojë”, ka deklaruar Kos.
Ndërkaq, duke folur për Serbinë, komisionerja Kos ka vlerësuar se vendi ka shënuar hapa prapa në disa prej fushave themelore, veçanërisht në të drejtat themelore, lirinë e shprehjes, lirinë akademike dhe administratën publike.
Ajo ka theksuar se qeveria e re serbe ka mundësinë ta ndryshojë këtë kurs, të forcojë institucionet demokratike dhe të drejtat themelore, si dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, Kos ka vlerësuar se Serbia vazhdon të jetë ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së, si dhe e përgatitur mirë në fushën e tregut të vetëm dhe konkurrueshmërisë.
“Në Serbi kemi vërejtur hapa prapa në të gjitha fushat themelore. Qeveria e re do të ketë mundësinë ta ndryshojë këtë kurs. Serbia ka bërë hapa të mëtejshëm prapa në fushën e të drejtave themelore, veçanërisht sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë akademike, si dhe në administratën publike. Serbia është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të përafrimit me legjislacionin e BE-së dhe është e përgatitur mirë për tregun e vetëm dhe konkurrueshmërinë. Tani Serbia ka mundësinë për një fillim të ri. Qeveria e re serbe ka mundësinë ta kthejë një faqe të re, të forcojë institucionet demokratike dhe të drejtat themelore, si dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të avancuar në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Kos.








