Brenda dhjetë ditësh, skuadra e Dritës synon ta mposht dy herë Prishtinën për t’ia shkaktuar humbjen e dytë këtë sezon në Superligën e Kosovës në futboll.
Më datën 25 tetor, Drita triumfoi 3:0 ndaj Prishtinës në Hajvali në kuadër të xhiros së 11-të kurse sot prej orës 13:00, do të përballet në Gjilan.
Kjo ndeshje është e mbetur dhe i takon xhiros së dytë, por ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Dritës në kualifikimet e garave të UEFA-s.
Kampionia në fuqi, Drita në këtë përballje futet pas një serie prej katër fitoreve rresht duke u ngritur në pozitën e tretë në tabelë me 23 pikë, tri më pak se Prishtina që renditet e dyta.
Ndeshja në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, pritet të jetë e fortë dhe e luftuar nga të dy skuadrat që synojnë fitoren për të mbetur në garë për titullin e kampionit.
Aktualisht, Malisheva prinë në Superligë me 27 pikë dhe një ndeshje më shumë të luajtur se Drita e Prishtina.









