Ka nisur seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.
Gjatë seancës, dëshmitari Driton Dardhishta ka rrëfyer se më 1 prill 2025, derisa ishte duke punuar në një autolarje në rrugën “Idriz Seferi”, kishte dëgjuar të shtëna me armë dhe kishte parë dy persona duke vrapuar.
Dardhishta deklaroi se në momentin kur dëgjoi krismat, ndodhej afër autolarjes, para veturës së tij.
Ai tha se nuk e dinte nga cila anë kishin ardhur të shtënat.
I pyetur nga prokurori Ismet Rrahmani nëse kishte vërejtur ndonjë lëvizje, dëshmitari tha se kishte parë dy persona duke vrapuar përreth autolarjes, në drejtim të rrugës përpjetë.
Sipas tij, personat kishin pasur maska ose kapuça, por ai nuk ishte i sigurt për detajet e tjera të pamjes së tyre.
Prokurori e pyeti nëse kishte dëgjuar ndonjërin prej tyre duke thënë “Boll mo, e pat qikaq”. Dardhishta u përgjigj se tashmë i kujtohej kjo shprehje, por nuk e dinte cili nga personat e kishte thënë.
Dëshmitari përmendi edhe Haki Belën, për të cilin tha se e kishte parë shpesh pranë shtëpisë së tij, afër një dyqani me produkte islame dhe mjaltë.
Ai deklaroi se nuk i kujtohej distanca mes vendit ku ndodhej Haki Bela dhe personave që kishte parë duke vrapuar. Po ashtu, tha se në zonën nga kishin kaluar personat nuk kishte ndriçim.
Gjatë dëshmisë, Dardhishta konfirmoi se Muhamet Likën e kishte pasur kojshi dhe se e dinte lagjen ku kishte banuar, por jo katin e banesës./teve1.info/




