Aleanca ka vendosur të themelojë Shkollën Politike, përmes së cilës synon edukimin politik të të rinjve dhe përgatitjen e liderëve të ardhshëm. Udhëheqja e kësaj nisme i është besuar nënkryetarit të parë të partisë, Besnik Tahiri.
Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës të kryesisë së Aleancës, ku janë diskutuar edhe çështje të tjera që lidhen me organizimin dhe aktivitetet e partisë.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar edhe për lansimin e ueb-faqes së re zyrtare, si dhe për vazhdimin e aktiviteteve në terren.
Sa i përket zhvillimeve politike në vend, Aleanca ka ritheksuar se do të vazhdojë të veprojë në opozitë, duke deklaruar se do të angazhohet për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të shtetit.
Në mbledhje është diskutuar edhe gjendja energjetike në Kosovë. Aleanca ka pretenduar se gjatë muajit shtator importi i energjisë elektrike ka kushtuar 27 milionë euro, ndërsa shpenzimet për importin e rrymës gjatë më pak se gjashtë vjetëve kanë kaluar një miliard euro.
Për këtë çështje, Grupi Parlamentar i Aleancës ka paralajmëruar thirrjen e një interpelance në Kuvend, për të kërkuar llogaridhënie lidhur me menaxhimin e sektorit të energjisë.
Po ashtu, gjatë mbledhjes është diskutuar edhe Ligji për Gjykatën Speciale, ku Aleanca ka ritheksuar qëndrimin e saj për këtë çështje dhe për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.







