Pas një zvarritje pesë vjeçare, renovimi i shkollës “Gjin Gazulli” në Prishtinë, më në fund ka përfunduar.
Në ceremoninë hapëse, i lumtur u pa ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, i cili në shtator të vitit të kaluar, personalisht vizitoi punimet, pasi shteti që ai përfaqëson ka investuar 3.5 milionë euro
Dietz pati kritikuar kompaninë për zvarritjet, duke kërkuar përgjegjësi nga ta.
E sot, në një intervistë për TËVË1, ai tha se nga e gjithë ajo që ndodhi morën një mësim.
“Qeveria e Luksemburgut ka investuar 3.5 milionë euro dhe janë disa qindra mijëra euro të cilat janë investuar nga Komuna e Prishtinës. Po pajtohem plotësisht ka pasur vonesa të shumta, kemi pasur shumë sfida, në materialin, si dhe me kompaninë. Kështu që mësimi që kemi marrë është të mbikëqyrim shumë më mirë punën që bëhet, prandaj kontratat e tilla ndonjëherë krijojnë detyrime të caktuara dhe komplikime”, ka thënë ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
Shkolla profesionale e kryeqytetit, tash është bërë me kabinete moderne e laborator me teknologji të re.
Mësimi në këtë shkollë do të nis shumë shpejtë.
“Objekti siç e patë është i një standard të lartë evropian edhe më shumë mburrje them që është prej shkollave në rajon që ofron kushte të tilla, sigurisht inaugurimi u bë sot dhe normalisht menjëherë pas pushimit vjeshtor nxënësit e shkollës “Gjin Gazulli” do të jenë të mirëseardhur”, u shpreh drejtori i shkollës “Gjin Gazulli”.
Në ceremoninë inauguruese, mori pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Me renovimin dhe modernimin e shkollës profesionale “Gjin Gazulli”po investojmë në këtë të ardhme. Ky investim prej 4.3 milionë eurosh në bashkë me Luxemburgut do të mundësoj 700 nxënësve hapësira moderne për mësim, praktikë dhe inovacion”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama .
Megjithatë, jo të gjithë u ndan të kënaqur me punimet.
Dikush nga prindërit u ankua për mungesën e një salle të edukatës fizike.
“Aktiviteti fizik e ka sallën mungesë, nuk ka kurfarë sallë të edukatës fizike vetëm një hapësirë e vogël që është dhomë në të ardhmen duhet të planifikohet shtojcë si segment që të ndërtohet edhe një hapësirë e tillë. Në qoftë se nuk e ndreqin kushtet teknologjike e rrisin obezitetin edhe kujtesën intelektuale”, ka tëhënë Gashi.
Për shkak të vonesave të shkaktuara në renovim, Luxdev ia kishte shkëputur kontratën kompanisë së parë të kontraktuar, dhe puna i ishte besuar një operatori të ri ekonomik.






