Me duar të lidhura u sollën përsëri në gjykatore.
Janë këta, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi, dy të akuzuarit për spiunazh tek BIA serbe.
Në seancën e së martës, u dëgjua dëshmia e zyrtarit policor, A.K
Para trupit gjykues, A.K tha gjatë vitit 2000 ka punuar për më shumë se dy vite në Prishtinë me Muharrem Qerimin.
Kur u pyet se a janë takuar me njëri tjetrin, A.K tha se nga atëherë janë takuar edhe gjashtë herë me insistim të Qerimit.
Për këto takime, pyetje shtesë pati prokurori.
Zyrtari policor tha se i akuzuari nuk ka qenë informator i Policisë së Kosovës, pasi nuk ka pranuar.
Për dëshmitarin, pyetje pati edhe mbrojtja.
Dëshmitari tha se nuk i kujtohen detajet e takimeve në tërësi.
“Secilën herë më ka thënë se ka informacion për të treguar dhe jemi takuar”, ka thënë dëshmitari
Në këtë seancë, i akuzuari Muharrem Qerimi, e përmendi edhe sulmin terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.
“A të kujtohet kur të kam thirr gjatë rastit të Banjskës dhe të kam informuar për disa rrethana atje, dhe të kam thënë për me dërgu tutje atë informacion atje për shkak të ruajtjes së policëve tanë. E kam informuar për disa informacione për sigurinë tonë në pjesën veriore, për t’i ruajtur policinë. Edhe ky deklaron se nuk më është dukur valid ai informacion”, u shpreh Muharrem Qerimi, i akuzuari për spiunazh.
Por dëshmitari tha se informacionin nuk e ka përcjellë për shkak se ka qenë i pakonfirmuar.
“Nuk e di nëse më ka thirr a dërguar SMS, atë ditë nuk kam qenë në punë, kam pasur një familjar në spital. Informacioni ka qenë i pakonfirmuar për momentin. Kështu që unë kam pritur se si po rrjedh ngjarja, që nesër ka me pasë nevojë, mirëpo me qenë se situata rrodhi ndryshe, nuk pashë nevojë”, ka thënë dëshmitari.
Qerimi e pyeti nëse e kishte përcjellë informacionin.
“Jo, me qenë se ka qenë e pamundur për shkak të situatës që të konfirmohet si i saktë. Situata ka qenë atje shumë e tensionuar dhe një informacion i gabuar mund ta dërgonte në veprime jo të duhura. Unë e kam pasur të pamundur ta verifikoj atë informacion”,u shpreh tutje dëshmitari.
Këtu dëshmitari u pyet edhe për një marrëveshje rreth hapjes së një lokali të përbashkët për shitjen e telefonave në mes tij dhe Qerimit.
“A e ke propozuar ti biznesin apo unë”, tha Qeriqi.
“Kur jemi takuar në 2022 ai më ka thënë që punon me patundshmëri dhe më ka thënë që po don me investuar me një biznes. Unë i kam thënë që për kohën ky biznes është profitabil si dhe lokacioni”, ka theksuar dëshmitari.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi dyshohen se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, masakrat në Kosovë, AKI-në, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.






