Kuvendi i Kosovës e miratoi dje rezolutën për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e dhunës në familje.
Përmes saj, kërkohet që të hetohet përgjegjësia e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Ndërkohë, detajet se çka parasheh rezoluta i ka dhënë shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.
“Janë paraparë edhe masa të tjera që është hartimi i një programi kombëtar me qëllim të vetdijësimit, edukimit me fokus të djemve dhe burrave …, parasheh fuqizimin e ndihmës juridike falas pastaj një linjë e cila do të jetë në dispozicion në të gjithë vendin për të ofruar këshilla me deskrecion të plotë, pastaj është formimi i një qendre kombëtare e cila do të mundësoj strehimin dhe ofrimin e gjithë mbështetjes për grat e dhunuara dhe një qendër tjetër që do të ofroj ndihmë për fëmijët”, ka thënë Nagavci.
Rezoluta parasheh edhe formimin e një komisioni hetimor.
“Komisioni hetimor e ka mandatin e caktuar, e ka përshkrimin e detyrave dhe besoj që në fillim të muajit nëntor duhet të filloj punën me intervistimin e të gjitha palëve të përfshira”, tha tutje Nagavci.
Nga shoqëria civile kërkohet që rezoluta të mos mbetet vetëm zotim në letër.
“Pse nuk ndërmerren këto veprime përpara se të ketë një tragjedi të këtij lloji, mirëpo vetëm pritët një tragjedi, një vrasje si kjo që e Arlinda Zekaj që ndodhi në mënyrë që të aktivizohen gjëja institucionet. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të ndërmerren këto veprime në mënyrë të thellë dhe jo vetëm të jenë si një farë lloj, si një lloj dalje nga situata e krijuar për shkak të dështimit institucional për mbrojtjen e jetës”, u shpreh Gzim Shala nga IKD.
Edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës kërkojnë investime më të mëdha në mbrojtjen e grave.
“I kemi njoftuar institucionet tona për parregullësitë që ndodhin në trajtimin e rasteve. Nëse bazohen në ato hulumtime, nëse bazohen në procedurat standarde të veprimit që i ka legjislacioni, secili prej tyre do të dinte se ku janë mangësitë dhe ku duhet me u fuqizuar. Në kuptimin afatshkurtër ne presim sa më shpejt të dalin me emra kush ishin përgjegjës për mosveprim në rastin e djeshëm për ta ndihmuar të ndjerën, ndërsa në afat gjatë ne presim investime më të mira në trajtimin e dhunës e kjo bëhet përmes ndarjeve të duhura buxhetore”, tha Berisha.
Rezoluta u miratua të hënën, një ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.






