Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vendosur që tri lëndë penale që ndërlidhen me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt të transferohen nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Ndërkohë, po shqyrtohen edhe veprimet dhe mosveprimet e mundshme institucionale lidhur me rastet që ajo kishte raportuar para vrasjes.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se vendimi për ricaktimin e tri lëndëve penale është marrë në kuadër të kompetencave ligjore të kryeprokurorit, duke marrë parasysh rëndësinë e rastit dhe pasojat e rënda që kanë rezultuar.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i këtij vendimi është të sigurohet trajtim efikas, objektiv dhe i paanshëm i lëndëve, si dhe shqyrtimi i tyre me seriozitetin e duhur.
Vendimet janë marrë në mbështetje të nenit 20, paragrafi 2, të Ligjit për Prokurorin e Shtetit.
Paralelisht me ricaktimin e lëndëve, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka nisur një analizë të gjithanshme të veprimeve dhe mosveprimeve të mundshme institucionale lidhur me rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj-Sylaj para vrasjes së saj.
Shqyrtimi do të përfshijë kronologjinë e veprimeve të ndërmarra, vendimet e nxjerra, vlerësimin e rrezikut dhe masat e marra për mbrojtjen e saj, si dhe rrethana të tjera që mund të jenë relevante për përcaktimin e përgjegjësive eventuale.
Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë theksuar se do të kërkohet llogaridhënie për çdo shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprim që mund të konstatohet gjatë këtij procesi.
“Në rast se evidentohen shkelje ose përgjegjësi, do të ndërmerren masa rigoroze dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilin zyrtar, në përputhje me ligjin dhe kompetencat përkatëse”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, procesi synon të sqarojë plotësisht rrethanat e rastit, të identifikojë mangësitë e mundshme dhe të trajtojë me seriozitet përgjegjësinë institucionale dhe individuale.
Zyra e Kryeprokurorit ka theksuar se vlerësimi do të bëhet mbi bazën e fakteve, dokumentacionit dhe provave përkatëse, pa paragjykuar përgjegjësinë e ndonjë personi.
Në fund të komunikatës, Kryeprokurori i Shtetit ka ritheksuar se mbrojtja e jetës, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia institucionale janë detyrime që nuk mund të neglizhohen.
Po ashtu, është theksuar se çdo dyshim për mosveprim ose trajtim të papërshtatshëm të rasteve të raportuara duhet të shqyrtohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave.







