Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur përfaqësuesit politikë shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri, pas rezultatit të arritur në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku “Koalicioni Shqiptar” siguroi dy mandate në Kuvend.
Gjatë takimit, Kurti i ka uruar përfaqësuesit shqiptarë për rezultatin zgjedhor, duke e cilësuar atë si historik, si për numrin e votave të fituara, ashtu edhe për rëndësinë e bashkimit politik.
Sipas Kurtit, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë gjithsej 27.670 vota, rezultat që, sipas tij, përbën numrin më të lartë të votave të fituara nga shqiptarët në Serbi që nga viti 2000. Ai theksoi se ky rezultat është për 1.233 vota më i lartë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2020.
“Fitorja juaj është dyfish historike, sepse e keni realizuar një rekord të ri, krahasuar me vitin 2020, por edhe për shkak se jeni pjesë e një ndryshimi të madh”, deklaroi Kurti.
Ai vlerësoi vendimin e subjekteve politike shqiptare për të garuar së bashku në një listë të përbashkët, duke falënderuar drejtuesit politikë, kandidatët dhe aktivistët për angazhimin e tyre gjatë procesit zgjedhor.
Ai theksoi se bashkëpunimi nuk duhet të përfundojë me zgjedhjet e 25 tetorit, por të shërbejë si bazë për angazhim të përbashkët në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe kërkesën për barazi.
“Bashkimi është mirë për të përgjithshmen, por është mirë edhe për secilin prej jush. E ky bashkim nuk duhet të përfundojë me datën 25 tetor, por duhet ta kuptojmë që me 25 tetor ky bashkim, që është cilësi e re, e ka një kapitull të ri tash”, tha Kurti.
Sipas tij, kapitulli i ri duhet të vazhdojë me mbrojtjen e të drejtave, kërkesën për barazi dhe përpjekjet për të siguruar një jetë dinjitoze në vendlindje.
Në fjalën e tij, Kurti përmendi edhe sfidat me të cilat, sipas tij, përballen shqiptarët në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin ekonomik dhe emigrimin.
Ai tha se rezultati zgjedhor është arritur në rrethana të vështira dhe e cilësoi atë si dëshmi të rëndësisë së organizimit dhe bashkëpunimit politik.
Kurti foli gjithashtu për ndryshimet në skenën politike serbe, duke përmendur rezultatet e listave kryesore dhe humbjen e shumicës parlamentare nga koalicioni i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Tutje, Kurti theksoi se dy mandatet e fituara nga “Koalicioni Shqiptar” nuk përfaqësojnë vetëm një sukses elektoral, por edhe përgjegjësi për përfaqësimin e interesave të shqiptarëve.
“Dy mandatet janë arritje e përbashkët, e mbi të gjitha, janë edhe përgjegjësi e përbashkët. Aty ku janë mundësitë më të mëdha, edhe përgjegjësia është më e madhe”, u shpreh ai.
Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke i uruar për rezultatin dhe duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm.
“Për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin e kemi hequr derën fare”, tha Kurti, duke nënvizuar gatishmërinë për të mbajtur të hapur komunikimin dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve në këto treva.








