Një shtetas gjerman është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, pasi dyshohet se një milion euro të sekuestruara në pikën kufitare në Merdare i përkasin atij.
Sipas Policisë së Kosovës, paratë ishin gjetur dhe sekuestruar më 24 shkurt 2026, në një hapësirë të modifikuar brenda një automjeti me targa të Shqipërisë.
I dyshuari është paraqitur më 23 tetor 2026 për intervistim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku ka pranuar se paratë e konfiskuara ishin të tij, por nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen e tyre dhe lidhjen me personat e dyshuar për transportimin e parave.
“Gjermani – Kosovë 24.02.2026 – NN. Më 23.10.2026 në PSRK është paraqitur për intervistim i dyshuari mashkull shtetas i Gjermanisë, për shkak se me 24.02.2026 në vendkalimin kufitar në Merdare në automjetin me targa të Shqipërisë në një hapësirë të modifikuar brenda në automjet, janë gjetur dhe sekuestruar 1.000.000 (një milion) euro. I dyshuari gjatë intervistimit ka pranuar se paratë e konfiskuara kanë qenë të tij, por nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen e parave dhe lidhjen me personat e dyshuar që kanë bërë transportin e tyre. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport./teve1.info/







