Elena Sadiku, 32-vjeçarja me prejardhje nga Kosova, ka hyrë në histori duke u bërë trajnerja më e re e nominuar ndonjëherë për çmimin “Trajneri i Vitit” në ceremoninë prestigjioze të “Topit të Artë” (Ballon d’Or).
Trajnerja e skuadrës suedeze BK Häcken u nominua pas suksesit historik me klubin, të cilin e udhëhoqi drejt fitimit të trofeut të parë në edicionin inaugurues të UEFA Women’s Europa Cup. Ky ishte trofeu i parë evropian në historinë e klubit, të themeluar në vitin 1970.
Sadiku e mori lajmin për nominimin krejt papritur, në korridorin e klubit, kur njëra nga ndihmëset e saj i tregoi ekranin e telefonit. Fillimisht, ajo nuk e kuptoi rëndësinë e lajmit, derisa vuri re logon e “Topit të Artë”.
Suksesi i saj vjen pas një rrugëtimi të jashtëzakonshëm, të shënuar nga sfida personale, probleme të rënda shëndetësore dhe një karrierë futbollistike që përfundoi para kohe.
Në moshën 19-vjeçare, Sadiku pësoi këputjen e parë të ligamentit të kryqëzuar të gjurit, duke nisur një periudhë të vështirë mjekësore. Ajo iu nënshtrua gjithsej 13 operacioneve në gjurin e majtë, ndërsa një infeksion i rëndë pas ndërhyrjes së tretë bëri që mjekët të shqyrtonin edhe mundësinë e amputimit të këmbës për t’i shpëtuar jetën.
Fatmirësisht, këmba e saj u shpëtua, por karriera si futbolliste përfundoi në moshën 24-vjeçare. Vetëm katër muaj më vonë, klubi Hammarby i ofroi mundësinë të krijonte një akademi futbolli për vajza, duke i hapur rrugën drejt karrierës si trajnere.
Ajo punoi në disa vende, përfshirë Kinën, Danimarkën dhe Skocinë, ku drejtoi Celticun drejt titullit të parë historik kampion. Më pas, suksesin e vazhdoi te BK Häcken, me të cilin arriti triumfin evropian.
Sadiku është e vetmja grua në mesin e kandidatëve për çmimin “Trajneri i Vitit”, krahas emrave si Jonatan Giráldez, Andrée Jeglertz, Nils Nielsen dhe Pere Romeu.
Përtej arritjeve sportive, trajnerja ka folur edhe për nevojën e mbështetjes institucionale për gratë në futboll, veçanërisht për të drejtat që lidhen me pushimin e lehonisë dhe mundësinë për t’u rikthyer në punë pas lindjes.
Historia e saj nis mes shpërnguljeve të familjes për shkak të luftërave në ish-Jugosllavi. Prindërit e saj u larguan nga Kosova në fillim të viteve ’90 dhe u vendosën në Gjermani, ku Elena lindi. Familja u kthye më vonë në Kosovë, por lufta i detyroi të shpërnguleshin sërish, këtë herë drejt Suedisë.
Atje, në oborrin e shtëpisë, ajo nisi të luante futboll me babanë dhe vëllain. Sot, pas një karriere të ndërprerë nga lëndimet e rënda, Sadiku po dëshmon se pengesat nuk e ndalën ëndrrën e saj për të arritur majat e futbollit evropian.










