Për shkak se mbrojtja nuk është pajisur me shkresa të lëndës, ka dështuar seanca fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Miljojko Gjorgjeviq akuzohet se në cilësinë e komandantit të Repartit Policor në Komunën e Zveçanit, ka kryer krime lufte në Zveçan më 1998-1999.
Prokurori special Ilir Morina tha se nga zyra e prokurores Florije Shamolli e cila është prokurore e rastit, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që të dorëzohen shkresat e lëndës, për çka edhe kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti ëshë njoftuar me këtë situatë sepse nuk është lajmëruar avokati.
Kurse, avokati i Gjorgjeviqit, Predrag Miljkoviq tha se adresa e zyrës së tij është në ueb-faqe të Odës së Avokatëve, andaj sipas tij, shkresat mund t’i dorëzohen përmes Postës.
Ai tha se ekziston edhe mundësia e dorëzimit të shkresave përmes e-mailit, sikurse i pranon vendimet e Gjykatës, andaj ashtu mund t’i pranojë edhe provat.
“Aktakuza është paraqit më 11.10.2026, e kam pranuar një e-mail nga Prokuroria në gjuhën angleze, ku thuhet që të vij më 21 në ora 13:15. Unë kam ngarkesa të tjera lidhur me gjykimet, nga ana tjetër- nuk jam i obliguar të shkoj në Prokurori për shkresa të lëndës. E kundërshtoj mbajtjen e seancës”, tha Miljkoviq.
Gjykatësi Shyti e pyeti se a ka pranuar e-mail nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, por që avokati deklaroi se kishte cështje të tjera.
Në fund, Gjykata aprovoi kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e seancës, derisa e radhës u caktua më 2 nëntor.
Prokurori Morina tha se nuk ka qenë praktikë që avokatëve t’iu dërgohen me postë shkresat dhe aktakuza, marrë parasysh se kemi të bëjmë me ndjeshmëri të rastit.
Ai tha se mbrojtësi nuk ka kërkuar që t’i dërgohen fizikisht, në të kundërtën do t’i dorëzoheshin sot përmes shoferit të Prokurorisë.
Prezent në seancë ishte prokurori special Ilir Morina, i akuzuari Gjorgjeviq dhe mbrojtësi i tij- avokati Predrag Miljkoviq. Po ashtu, të dëmtuarit: Afrim, Avni dhe Mejreme Peci, si dhe mbrojtësi i viktimave Muhamet Pervetica.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 11 tetor 2026, ka ngritur aktakuzë kundër Miljojko Gjorgjeviqit, i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998–1999 në Kosovë.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjorgjeviq në cilësinë e komandantit të Repartit Policor në Komunën e Zveçanit, akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore të strukturave të shtetit serb dhe nën përgjegjësi individuale e komanduese, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile shqiptare.
Në aktakuzë thuhet se, gjatë muajve shtator–tetor 1998, në vendin e quajtur “Ura e Hekurt”, Avdi Peci, derisa ishte duke shkuar në shkollë, kishte hasur në një postbllok policor serb, ku ndodhej edhe Gjorgjeviqi, së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur, të cilët deri më tani nuk janë identifikuar.
Sipas aktakuzës, pasi e kishin ndaluar dhe kishin kuptuar se ishte djali i Isa Pecit, shtëpinë e të cilit, sipas Prokurorisë, e kishin bastisur vazhdimisht dhe të cilin e kishin keqtrajtuar, pjesëtarët e forcave serbe e kishin goditur Avdi Pecin në pjesë të ndryshme të trupit me kondak të automatikut, grushte dhe shuplaka, duke i shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike.
Tutje, sipas aktakuzës, më 29 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, Gjorgjeviqi, së bashku me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të Ushtrisë Jugosllave, Policisë Serbe dhe njësive paramilitare serbe, dyshohet se mori pjesë në operacionin e rrethimit të fshatit Zhazhë, në komunën e Zveçanit.
Operacioni, sipas Prokurorisë, përfshinte kontrollimin e shtëpive të banorëve shqiptarë, të cilët përshkruhen si civilë të paarmatosur dhe të papërfshirë në luftë. Aktakuza shkruan se qëllimi i operacionit ishte vrasja, plaçkitja dhe shkatërrimi i pronës, me synim spastrimin etnik dhe dëbimin e popullatës nga fshati.
Sipas aktakuzës, operacioni zgjati deri rreth orës 16:00.
Gjatë kësaj kohe, forcat ushtarake dhe policore serbe dogjën shtëpi dhe pasuri materiale, si dhe vranë tre civilë brenda fshatit: Nysret Peci, Florim Peci dhe Selman Peci.
Po ashtu, sipas aktakuzës, gjatë operacionit u rrëmbyen shtatë civilë shqiptarë nga fshati Zhazhë, të cilët disa ditë më vonë u gjetën të vrarë në varrezat e fshatit Suhodoll të Mitrovicës. Ata janë identifikuar si Adem Peci, Fidan Peci, Gani Peci, Lulëzim Peci, Salih Peci, Adem Haziri dhe Muharrem Haziri.
Trupi i Adem Hazirit, sipas aktakuzës, nuk është gjetur ende dhe fati i tij mbetet i panjohur.
Një tjetër rast i përshkruar në aktakuzë lidhet me ngjarjet e 29 prillit 1999, në vendin e quajtur “Te Shelnjet”, në Zhazhë. Gjorgjeviq akuzohet se, në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë, mori pjesë drejtpërdrejt në torturimin fizik dhe psikik të Sebahate Pecit, civile shqiptare e pambrojtur.
Sipas aktakuzës, pasi forcat serbe kishin rrethuar dhe djegur shtëpitë e fshatit, gratë dhe fëmijët ishin ndarë dhe kishte nisur regjistrimi i tyre, gjatë të cilit u shpërndaheshin kartona identifikimi.
Sebahate Peci kishte refuzuar të nënshkruante, pasi mendonte se familja e saj ishte vrarë.
Në këto rrethana, sipas aktakuzës, Gjorgjeviqi e kishte pyetur pse nuk po regjistrohej dhe, pasi ajo i ishte përgjigjur se mendonte që ia kishin vrarë familjen, ai e kishte goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke ia thyer dhëmbët.
Prokuroria e akuzon Gjorgjeviqin si komandant i forcave policore të shtetit serb, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, të paraparë dhe të dënueshme sipas neneve 142 dhe 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), ndërsa aktualisht të penalizuar me nenet 31 dhe 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, veprimet e pretenduara janë në kundërshtim me nenin e përbashkët 3 të katër Konventave të Gjenevës, të 12 gushtit 1949, nenet 4 dhe 5(1) të Protokollit II të 8 qershorit 1977, si dhe me rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.
Në arsyetimin e aktakuzës, PSRK-ja thekson se gjatë hetimeve ka intervistuar dëshmitarë dhe ka siguruar prova materiale, fotografi, skica dhe informacione të tjera relevante. Prokuroria pretendon se dëshmitë e mbledhura mbështesin akuzat ndaj Gjorgjeviqit për keqtrajtimin e Avdi Pecit, torturimin e Sebahate Pecit dhe përfshirjen e tij të pretenduar në ngjarjet e 29 prillit 1999 në Zhazhë./BetimipërDrejtësi









