Një qytetar nga fshati Drejë i Istogut ka treguar shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, duke dorëzuar në polici një kuletë të gjetur në rrugën “Ibrahim Rugova”, në qytetin e Istogut. Në kuletë kishte dokumente personale dhe para në tri valuta, përfshirë 205 euro, 20 franga zvicerane dhe 400 dollarë amerikanë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 20 tetor, rreth orës 21:00, kur A. Puka është paraqitur në Stacionin Policor në Istog dhe ka dorëzuar kuletën që e kishte gjetur në afërsi të një bankomati.
Policia ka bërë të ditur se qytetari e ka dorëzuar kuletën menjëherë, pa e kontrolluar përmbajtjen e saj.
Gjatë verifikimit nga zyrtarët policorë, në kuletë janë gjetur dokumente personale dhe para në tri valuta: 205 euro, 20 franga zvicerane dhe 400 dollarë amerikanë.
Përmes dokumenteve personale, policia ka arritur ta identifikojë pronarin e kuletës, i cili më pas është kontaktuar dhe ftuar në stacionin policor për të marrë sendet e tij.
Pas verifikimeve të nevojshme, është konfirmuar se përmbajtja e kuletës përputhej me deklarimin e pronarit. Më pas, kuleta, së bashku me të gjitha paratë dhe dokumentet personale, i është kthyer atij.
Policia e Kosovës e ka vlerësuar lart veprimin e qytetarit, duke theksuar rëndësinë e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare në shoqëri.
Raste të tilla, sipas vlerësimit të policisë, dëshmojnë respektin për pronën e të tjerëve dhe rëndësinë e veprimeve të përgjegjshme në jetën e përditshme.








